Politike

Debat për protestën e PD, Koçiu: Policia veproi sipas ligjit, dhuna ishte e papranueshme

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestës, duke theksuar se sipas saj Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin.

Koçiu sqaroi gjithashtu rastin e shoqërimit të një të mituri, duke bërë me dije se ai është marrë për verifikim pasi po qëllonte me gurë efektivët e policisë dhe është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.

“Policia e ka kryer detyrën me përpikëri. Nuk ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Ajo që ndodhi ishte se policët u përballën me dhunë gjatë tubimit të thirrur nga opozita. Ata u sulmuan me molotov dhe si pasojë 11 punonjës policie u lënduan dhe u trajtuan në spital,” deklaroi Koçiu.

Sipas ministres, policia ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke bërë fillimisht thirrje për ndalimin e dhunës. Vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e efektivëve u bë evident, u morën masa për shpërndarjen e turmës.

“Akuzat se policia ka përdorur forcë janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer mbi parimin e proporcionalitetit, ashtu siç e kërkon ligji,” theksoi ajo.

Koçiu nënvizoi se e drejta për protestë është kushtetuese dhe e pacenueshme, por sipas saj, dhuna nuk mund të justifikohet politikisht.

“Hedhja e molotoveve dhe sulmi ndaj institucioneve janë shkelje e ligjit dhe cenim i rendit demokratik. Duhet të kemi guximin të dënojmë dhunën dhe të mbrojmë rendin, jo të mbrojmë autorët e saj apo të hidhen akuza ndaj policisë,” u shpreh ministrja.

Në lidhje me shoqërimin e të miturit, Koçiu e cilësoi situatën si manipulim politik.

Ajo sqaroi se bëhej fjalë për një 14-vjeçar, i cili u shoqërua për verifikim për të garantuar sigurinë e tij dhe të punonjësve të policisë. Sipas saj, i mituri është trajtuar në përputhje me ligjin, ka qëndruar në ambiente të posaçme dhe jo së bashku me persona të rritur apo të ndaluar, dhe është liruar sapo ka mbërritur përfaqësuesi ligjor.

“Askush nuk është mbi ligjin. Mos përdorni fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike,” përfundoi Koçiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë