Nga Gazeta “Si”- Në Kuvend u zhvillua interpelanca e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, lidhur me projektin e restaurimit dhe rikualifikimit urban të zonës TID në Durrës.
Nga foltorja, Zhupa e cilësoi projektin si “plan pushtues”, që sipas saj, fshihet pas retorikës së përmirësimit të turizmit, por në realitet “dëmton rëndë trashëgiminë kulturore të qytetit”.
“Projekti TID nuk është për zhvillimin e turizmit, por për shkatërrimin e banesave historike të Durrësit,” deklaroi deputetja, duke akuzuar ministrinë se po planifikon prishjen e shtëpive të vjetra që mbartin vlera historike.
Zhupa kërkoi shpjegime se mbi çfarë kriteresh është vendosur prishja e disa prej banesave, ndërsa të tjerat mbeten të paprekura. “Ky është plani i pushtuesve të Durrësit,” u shpreh ajo, duke e cilësuar projektin “përçudnim të trashëgimisë dhe identitetit të qytetit”.
Ministri Gonxhja, nga ana tjetër, mbrojti projektin si një ndërhyrje të domosdoshme dhe strategjike për zhvillimin e turizmit, jo vetëm për Durrësin, por për gjithë vendin. Ai e cilësoi investimin “shpëtimtar” për trashëgiminë historike dhe kulturore.
“Procesi ka qenë tërësisht transparent dhe profesional,” tha ministri, duke theksuar se asnjë ndërtesë historike nuk do të dëmtohet, por përkundrazi do të restaurohet duke ruajtur identitetin e zonës.
Sipas tij, projekti parashikon 5 milionë dollarë nga AADF për restaurimin e fasadave dhe rindërtimin e disa strukturave, ndërsa qeveria dhe bashkia do të investojnë rreth 6 milionë dollarë të tjera për infrastrukturën.
Gonxhja hodhi poshtë akuzat për abuzime apo klientelizëm, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë vetëm ruajtjen dhe rigjallërimin e një zone historike me potencial të madh turistik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




