Politike

Debati për Onkologjikun/ Koçiu e quan ‘ngjarja e famshme’, opozita kërkon dorëheqjen e saj dhe të Manastirliut

Nga Gazeta Si - Edhe pse ishte kërkuar interpelancë për projektligjin e shëndetit riprodhues, deputetët e opozitës e kanë zhvendosur debatin tek skandali i Onkologjikut, duke kërkuar dorëheqjen e ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministres aktuale Albana Koçiu.

Deputetët e PD-së i kanë kërkuar fillimisht dorëheqjen ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, teksa ajo fliste në Kuvend për skandalin në QSUT ku mjekë dhe specialistë të Onkologjikut akuzohen se drejtonin pacientët me kancer drejt privatit.

“Jep dorëheqjen”, i janë drejtuar, teksa Koçiu mbante fjalën në foltore, të cilën e nisi me “Ndjej detyrën të flas për çështjen e famshme të Onkologjikut…”.

Deputetët e PD-së goditën tavolinat duke krijuar zhurmë në sallë, ndërsa ministrja e Shëndetësisë kërkoi ndërhyrjen e kryeparlamentares Lindita Nikolla.

“T’ju vijë turp”, iu drejtua deputeti Dashnor Sula, i cili u ngrit në këmbë në shenjë proteste.

Ndërsa deputetja Ina Zhupa tha se është e papranueshme që ministrja të mos e dijë se nuk punojnë aparaturat në Onkologjik, por iu ndërpre menjëherë fjala, duke iu thënë se kjo temë diskutimi nuk është në procedurë.

Gjithashtu, ishte deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e cila tha se pas publikimit të atyre përgjimeve, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministri i drejtësisë, Ulsi Manja nuk duhet të ishin sot të ulur në karriget e kuvendit. Sipas Vokshit, Manja, Koçiu dhe Manastirliu ose duhet të ishin shkarkuar, ose dorëhequr.

“Kociu, Manja, Manastirliu nuk duhet të ishin në atë karrige, e kanë ditur të gjithë për skandalin tek onkologjiku, të gjithë kanë qenë në dijeni. Koka e korrupsionit janë këto ministra, drejtuesit e QSUT”, tha Vokshi.

Përgjigjen e mori nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku, e cila i kujtoi Reformën në Drejtësi.

“Reforma në drejtësi është bërë nga PS, nëse sot drejtësia është duke marrë të gjitha masat për të vënë në vend të drejtat, këto historitë me ministra që duhet të largohen ju mund ta kërkoni por ministri duhet të vazhdojë punën, jemi ne që marrim masa. Jemi të tronditur dhe neveritur për gjithçka që kanë bërë dhe ministrja do të nisi kërkesë për ndryshim të ligjit për t’u hequr licencën këtyre mjekëve”, tha Balluku.

Mirëpo, teksa Balluku i fliste për Reformën në Drejtësi, nga vendi demokrati Gazment Bardhi i bënte me shenjë prangat, teksa replikoi me tone të ashpra, aq sa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka tërhequr disa herë vëmendjen.

“Përfaqësuesit e krimit të organizuar na flet ne për drejtësinë”, tha ndër të tjera Bardhi.

Gjykata Penale e Tiranës do të vlerësojë këtë të enjte masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private. Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë