Nga Gazeta Si – Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” nis këtë mbrëmje edicionin e nëntë në Tiranë. “Kufijtë, pika shiu” (Borders Raindrops), një bashkëprodhim boshnjako-malazezo-serb me regji të Nikola Mijoviç dhe Vlastimir Sudar (2019) është i pari që shfaqet këtë mbrëmje në festivalin e filmit në Tiranë. Në garë për çmimet “Dea” këtë vit komisionet e përzgjedhjes kanë përfshirë në program 39 filma nga 25 vende të botës, të ofruar në katër konkurrime dhe një program special, të cilët ndiqen dhe vlerësohen nga pesë juri.
Drejtori i festivalit Edmond Topi u shpreh se hapja e festivalit me njw film nga rajoni wshtw zgjedhja e duhur.
“E menduam këtë herë ta hapnim me një film nga rajoni. Besoj që është më mirë kështu. Autorët janë këtu dhe besoj kjo është një zgjedhje e duhur”, u shpreh drejtori i festivalit gjatë prezantimit për këtë edicion.
Misioni i kineastit Edmond Topi vite më parë, kur krijonte “Dea Film Festival” ishte që të çonte kinemanë në qytete si Saranda apo Gjirokastra, ku kinemaja prej vitesh nuk ekzistonte më për banorët. Për drejtorin Edmond Topi, misioni i festivalit është që njerëzit të shkojnë në kinema. “Qëllimi i festivalit është të rikthejë spektatorin në kinema. Ne fokusin e kemi te audienca”, tha ai ndër të tjera.
Drejtorja artistike e festivalit, Mirela Oktrova tha se, “ky edicion, e vijon linjën e paraardhësve në tri tradita: së pari, traditën e përmasave të prurjeve dhe shtrirjes gjeografike, me një ofertë prej 39 filmash nga 25 vende të Europës dhe botës, nga rajoni te kinematografitw e konsoliduara, si Gjermania, Italia apo Spanja, nga Kosova, e cila përfaqësohet me një program-fokus, të titulluar CineKO te Uzbekistani, Lituania, Irani e SHBA. Së dyti, festivalin vazhdon traditën e tij të promovimit të komunikimit kulturor si urë lidhëse, që këtë vit konkretizohet me praninë e spikatur të bashkëprodhimeve dhe tërheqjen e kineastëve nga ekzotikja apo ngjarjet e shtrira në kohë dhe hapësirë. Dhe së treti, festivali mbetet te kinemaja cilësore dhe trajtesat sfidante, si: emigracioni dhe humanizmi, qytetërimi dhe varfëria, individi dhe shoqëria”.
Pwr prurjet filmike në Programin e Filmit me metrazh të gjatë, Genc Përmeti wshtw shprehur se, selektimi ka qenë një përgjegjësi e madhe. “Festivali po mbush 10 vjet në kërkesën e vet për cilësi, ndaj për ne mbetet sfidë orientimi drejt autorëve me indentitet artistik”. Duke u ndalur në secalin prej filmave konkurrues,pjesa dërrmuese e të cilëve lidhen direkt ose indirekt me jetën, preokupimet dhe sfidat e individit në Shqipëri dhe rajon, Përmeti vuri në dukje, se “humanizmi është filli lidhës në pothuaj të gjithëfilmat me metrazh të gjatë, që do të paraqiten në festival, përmes të cilit kineastët sjellin mesazhe të përpjekjeve të njeriut, për ta bërë jetën më të mirë”.
Pas pesë vitesh në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të katërt edhe në Tiranë. Edicioni i nëntë ka disa programe, atë të filmit me metrazh të gjatë, një tjetër dedikuar filmit dokumentar, një program dedikuar regjisorëve të rinj dhe risia është ai dedikuar filmave, që mbërrijnë nga Kosova. Janë 39 filma që do të përcillen përgjatë ditëve të festivalit deri më datë 28 qershor. 5 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 4 në programin Cine Ko, 16 në seksionin e filmit të shkurtër, 14 në seksionin e filmit studentor dhe 11 në seksionin e filmit dokumentar. Në konkurrimin kryesor janë filmat: “Kufijtë, pika shiu” (Borders Raindrops) bashkëprodhim boshnjako-malazezo-serb me regji të Nikola Mijoviç dhe Vlastimir Sudar (2019); “Bardhësi e huazuar” (Borrowed White) e regjisorit Sebastian Ko, nga Gjermania (2021); “Pavarësisht mjegullës” (Despite the Fog) filmi i fundit i regjisorit Goran Paskaljeviç me produksion italian (2019); “Blic i fuqishëm” (Mighty Flash) i regjisores Ainhoa Rodríguez nga Spanja (2021) dhe produksioni shqiptar “Dy luanë drejt Venecias” (Two Lions Heading to Venice) nga regjisori Jonid Jorgji (2021). Programi i filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër do të ofrohet në kinema “Dea open air 2” – Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.