Gazeta Si – Të ftuar në mbrëmjen gala të vlerësimit të më të mirëve për vitin 2023, dy ish-trajnerët e Kombëtares shqiptare, italianët Xhani De Biazi dhe Edi Reja, kanë folur me sueprlativa për skuadrën e Silvinjos, që siguroi pjesëmarrjen në Euro 2024.
De Biazi, i cili ka përjetuar ndjesinë e kualifikimit për herë të parë në histori me kuqezinjtë në 2016-ën, ka pohuar se Shqipëria ka shanse për të kaluar grupin, edhe pse luan me skuadra të mëdha, si Spanja, Italia e Kroacia.
“Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuria ime e parë. Është e rëndësishme që Shqipëria u rikthye në Europian, një sukses që vjen nga puna e madhe. Bravo të gjithëve! Nuk jam xheloz, ssgjë nuk vjen rastësisht. Bravo Silvinjo për punën që ka bërë, bravo edhe atij që i besoi.
Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur në aspektin teorik në grup. Në praktikë besoj se do të kualifikohet”, – u shpreh trajneri që ka edhe pasaportën shqiptare.
Edhe Reja mendon se kuqezinjtë mund të jenë surprizëa e Gjermani 2024: “Jam xheloz për Silvinjon, Shqipëria mund të jetë surpriza e Europianit. Ishte një vazhdimësi e punës së nisur disa vite më parë. E gjeta Shqipërinë në një moment pak të vështirë dhe u munduam të ndryshojmë.
Skuadra është cilësore dhe Silvinjo ka bërë një punë të mirë. Jam shumë i kënaqur që djemtë ia dolën dhe jam edhe pjesërisht krenar për atë sukses të tyre. Kundërshtarët e Shqipërisë duhet të bëjnë kujdes. Është një grup shumë i vështirë dhe të gjithë duhet të kenë kujdes nga Shqipëria, pasi mund të bëjë surprizën.
Do të luajnë kundër Italisë, Kroacisë, e Spanjës dhe do të doja të isha në stol, ndaj jam pak xheloz këtu. Djemtë kanë cilësi dhe jam i sigurt që do të bëjnë një paraqitje dinjitoze”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.