Davinson Sanchez nuk i mungon sigurisht kurajo. Në fund të fundit për të debatuar mediatikisht me Mourinho, duhet. Kolumbiani ka komentuar së fundmi batutën që Special One i ka bërë sapo ka mbërritur tek Tottenham, kur i ka kujtuar mbrojtësit se në finalen e Europa League fituar nga United kundër Ajax, Sanchez…kishte luajtur dobët. “Bashkëbisedimi ishte zbavitës, por nëse trajneri im më thotë diçka të tillë unë nuk mund të mos e pranoj problemin”, ka shpjeguar ai, sipas asaj që bën të ditur Goal. Por gjithsesi, në raport me atë që ka kaluar në fëmijëri, debati me portugezin i duket gjë e vogël.
Sanchez ka rrëfyer për “The Sun” se si ambienti në të cilin është rritur nuk ishte ai më i miri. “Kam parë gjëra shumë të këqija, si droga e njerëzit që shkonin të vidhnin. Njoh miq që kanë marrë atë që unë e quaj rrugën më të thjeshtë, tani disa prej tyre kanë vdekur ose janë në burg”. Kur je i ri, si kanë shpjeguar shumë kolegë, ajo rrugë duket mënyra më e shpejtë për ti shpëtuar një jete me privime, por kolumbiani nuk është ndjerë kurrë i tërhequr nga kriminaliteti. “Varet nga zgjedhjet e tua. Të marr rrugën më të lehtë nuk ka qenë kurrë një opsion për mua”.
Për mbrojtësin ishte një mision i vështirë edhe të shkonte në stërvitje. “Im atë më çonte në stërvitje, por ndonjëherë ishte e komplikuar, sepse duhej edhe të punonte për të sjellë ushqim në shtëpi. Stërvitesha çdo ditë pas shkolle e pastaj merrja tre autobusë për tu kthyer në shtëpi, më duheshin gati dy orë. Më pas bëja detyrat, por ndonjëherë më zinte gjumi mbi libra”. Për të mos i kërkuar para familjes , Sanchez mori një vendim; më mirë mjetet publike. “Një ditë, kur isha 10 apo 11 vjeç, i thashë tim eti: ‘Kjo po na bën të humbasim para. E di ku kalojnë autobusët, tani jam aq i madh për të udhëtuar vetëm”. E udhëtimi e çoi tek Ajax e pastaj Tottenham…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




