Lojëra me Dore

Data e nisjes dhe 12 skuadrat e përhershme të ‘NBA Europe’

Nga Gazeta Si – Drejtori menaxhues i “NBA Europe”, George Aivazoglou bëri një përditësim të rëndësishëm mbi eventin duke konfirmuar datën e nisjes, ekipet pjesëmarrëse dhe formatin e kompeticionit.

Për më tepër, ai theksoi se 12 ekipet e përhershme të projektit “NBA Europe” janë tashmë të përcaktuara.

Ajo do të përfshijë ekipe nga 7 shtete të ndryshme dhe 12 qytete. Nga këto, 8 janë vende ku luajnë ekipe të “EuroLeague”.

Megjithatë, Aivazoglou nuk specifikoi se cilat (nëse ndonjë) nga ekipet aktuale të “EuroLeague” do të marrin pjesë në këtë event të ri.

Aivazoglou, konfirmoi se projekti do të nisë në Tetor të vitit 2027, duke shtuar se do të marrin pjesë ekipe nga Roma dhe Milano (Itali), Londra dhe Mançesteri (Mbretëria e Bashkuar), Parisi dhe Lioni (Francë), Madridi dhe Barcelona (Spanjë), Berlini dhe Mynihu (Gjermani), si dhe nga Athina (Greqi) dhe Stambolli (Turqi).

Formati dhe meritat sportive në “NBA Europe”
Do të jetë një format gjysmë i hapur me 16 ekipe — 12 të përhershme, plus 4 ekipe të tjera bazuar në meritën sportive: një nga “FIBA Basketball Champions League”, që është partneri i “NBA Europe”, dhe 3 të tjera nga ligat vendase.

Kompeticion i ri mes “NBA” dhe “NBA Europe”
Drejtori menaxhues i “NBA Europe” sugjeroi se në të ardhmen, ekipet e “NBA” mund të luajnë kundër skuadrave të “NBA Europe”.
“Mund të jetë një event i ri që do të bashkonte ekipet e “NBA” me ato të “NBA Europe” —ndoshta në formën e një “NBA Cup”, me ekipe amerikane dhe evropiane, ose një turne i ngjashëm me “FIFA Club World Cup” si ai verës së kaluar — si pjesë e një kuadri gjithnjë e më të integruar”, përfundoi Aivazoglou.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë