Gazeta Si – E pabesueshme, por e vërtetë. Një histori e rrallë, që tregon dashurinë e përjetshme për ekipin e zemrës, vjen nga Islanda.
Kampionët në fuqi të këtij vendi, Breidablik Kopavogur, u trishtuan shumë kur mësuan për ndarjen nga jeta të Gudmundur Egert Oskarson, tifoz dhe ish-punonjës i klubit. Por askush nuk e mendonte surprizën në testamentin e tij.
Për shumë njerëz dashuria për ekipin e zemrës në futboll zgjat një jetë. Kur këta njerëz ikin, ikën edhe një pjesë e historisë së ekipit dhe tifozëve. Ka raste shumë, por ky i Oskarson është i veçantë. Tifozi 80-vjeçar, sipas Sport1, ka lënë të shkruar që një pjesë e pasurisë së tij të shkonte për Breidablik Kopavogur. Nuk janë shifra të vogla, por 1 milion e 300 mijë euro.

Jo pak për një tifoz, që më parë ishte nominuar edhe si pjesëtar nderi i klubit. Kështu, lotëve për humbjen e një figure legjendare për klubin u bashkohet edhe emocioni dhe gëzimi i një dhurate, që i jep mundësinë Breidablik Kopavogur të rritet më shumë.
Klubi që në 2022-shin fitoi titullin e dytë kampion, ka deklaruar se ndryshe nga sa mund të mendojnë tifozët, eurot e dhuruara nga Oskarson nuk do përdoren për merkato apo paga lojtarësh. Shuma është e destinuar për projekte që ndihmojnë klubin të rritet në të ardhmen.
Në testament është shkruar se shuma duhet të përdoret për të ndihmuar edhe skuadrën e femrave, që shkon shpesh në Ligën e Kampionëve. Një surprizë nga ato që nuk ndodhin shpesh. Dhe që tregon se dashuria për një skuadër ka një çmim!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




