Politike

Dashamir Shehi refuzon mandatin e sigurt të deputetit: Na duhen lista të hapura për të rinjtë në politikë dhe pse Presidenti gaboi dy herë

Nga Gazeta ‘Si’- Dashamir Shehi është një politikan aktiv që prej dhjetorit 1990, por në zgjedhjet e ardhshme ka vendosur të mos bëhet pjesë e listës së PD-së, sa për t’u bërë deputet.

“Vazhdimi i të njëjtës histori nuk ka vlerë për shqiptarët. Mund të ketë vlerë për ne që marrim një mandat deputeti, por e kam kaluar këtë fazë. Kam kaq shumë mandate, sa nuk më frymëzon më kjo ofertë”, tha Shehi në një intervistë për Gazetasi.al me angazhimin se përvoja e tij politike do të vihet vetëm në dispozicion të së resë.

Me këtë objektiv, ai mbrojti para Gjykatës Kushtetuese edhe idenë e ndryshimit të sistemit elektoral nga një sistem ku partitë garojnë me lista të mbyllura, për pjesën kryesore të listës fituese, në një sistem ku të gjithë duhet të jenë në garë përmes listave të hapura.

“Ligji zgjedhor aktual ka bllokuar demokracinë në Shqipëri. Ai është një marrëveshje midis mazhorancës parlamentare, PS, dhe mazhorancës së opozitës, PD, kundër forcave të reja alternative, që mendojnë ndryshe”- u shpreh Shehi, i shqetësuar se koha në dispozicion, edhe sikur Gjykata Kushtetuese të vendosë në favor të kërkesës së disa partive opozitare, nuk premton për të vënë në zbatim një ligj të ri. Shehi u tregua shumë kritik edhe me presidentin Begaj, për të cilin tha se u tregua një zyrtar i bindur i mazhorancës, duke dekretuar 11 majin si ditën e zgjedhjeve dhe duke mbyllur zyrtarisht hapësirën për ndryshimin e ligjit elekoral.

“Presidenti gaboi dy herë me datën e zgjedhjeve.”- theksoi kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi në intervistën për Gazetasi.al.

Gazeta Si: Zoti Shehi, ju mbrojtët kërkesën për lista të hapura në Gjykatën Kushtetuese pak ditë më parë. Pse është kaq e rëndësishme për ju se me çfarë sistemi zgjedhor shkohet në zgjedhje?

Dashamir Shehi: Ne kërkojmë që çështja e listave të mbetet në diskrecionin e partive, kush e do të mbyllur, ta mbajë të mbyllur dhe kush e do të hapur, të garojë me listë të hapur. Në dukje të parë, të krijon idenë e një kaosi, por nuk është kështu, sepse, edhe sot, një pjesë e listës është e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër është e hapur. Madje, do të thosha se propozimi ynë e thjeshton, pasi në vend të dy formulave brenda një liste, ne kemi vetë një formulë dhe fleta e votimit bëhet më e thjeshtë. Ajo që duam ne nga Gjykata Kushtetuese është që t’i kthehet vendimit të saj për herësin dhe të përdorë të njëjtin arsyetim, duke e lënë në dorën e partive të vendosin vetë se me çfarë listash përfaqësohen në elektorat. Unë e thashë edhe para Gjykatës, në një fjalë të shkurtër që mbajta, e para në jetën timë para nje gjykate, pasi as për pronat e mia nuk kam shkuar në gjyq, që ligji zgjedhor aktual, ka bllokuar demokracinë në Shqipëri. Ai është një marrëveshje midis maxhorancës parlamentare, PS dhe mazhorancës së opozitës, PD kundër forcave të reja alternative, që mendojnë ndryshe. Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë shpirtin, gërmën e Kushtetutës dhe jo të mbrojë thjesht ligjin. Ajo duhet të mbrojë pakicat politike për të drejtën kushtetuese për t’u përfaqësuar në mënyrë të drejtë.

Gazeta Si: Por edhe sikur Gjykata të vendosë në favorin tuaj, koha nuk premton që vendimi të zbatohet përmes një ligji. Si do të zgjidhet kjo?

Dashamir Shehi: Është e vërtetë që problemi kryesor tani qendron tek koha. Më e mira do të ishte që vendimi të ishte marrë para nxjerrjes së dekretit të presidentit për datën e zgjedhjeve, pasi, siç thuhet, nuk mund të bëhen më ndryshime ligjore 6 muaj para zgjedhjeve. Megjithatë, kur ekziston një vullnet pozitiv, as koha nuk përbën më pengesë. Gjithashtu, parimi është shumë i rëndësishëm. Rëndësi ka që, kurdo të ndodhë, zgedhjet të zhvillohen me lista të hapura dhe në parlament të shkojë ai që votohet më shumë nga zgjedhësit. Sistemi i sotëm politik ndikon shumë në cilësinë e qeverisjes dhe mund të themi që është një sistem plotësisht i dështuar. 

Gazeta Si: Tani që data e zgjedhjeve u dekretua, a ndikon kjo në zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese, edhe sikur ai t’ju japë të drejtë për çështjen e listave?

Dashamir Shehi: E gjykoj të gabuar aktin e Presidentit. Ka bërë gabim jo se ne opozitarët kemi kërkuar datën 4, por ka bërë gabim për veten e vet. Presidenti i ka heqir vetes një shans për të treguar se është mbi palët, që nuk kushtëzohet nga Partia Socialiste, e cila e ka zgjedhur, pavarësisht se të gjithë presidentët i zgjedh një maxhorancë e caktuar. Megjithatë, gjykoj se duhet të ketë momente që të dilet mbi këtë maxhorancë, sepse këtë të drejtë ia jep kushtetuta, ia jep funksioni i presidentit dhe ky ishte një shans i mirë për të treguar këtë. Ne kemi dyshimet tona se data 11 maj po përdoret nga PS për të ngritur frymën pozitive për të përmes ceremonive të pritshme për Ditën e Europës, që mbahen në 9 maj. Ne të gjithë duam të jemi pjesë, por këto afektojnë procesin dhe ky ishte dyshimi ynë, të cilin ia shprehëm Presidentit. Zoti President kishte mundësinë që të ma e hiqte këtë dyshim.

Mund të mos qendrojë fare kjo që themi ne, por mjafton që opozita e ka këtë dyshim dhe s’kishte asgjë të keqe që ai ta dekretonte datën e zgjedhjeve një javë përpara, në 4 Maj. Do të ishim të gjithë të qetë se nga procesi zgjedhor u eliminua një pengesë, qoftë edhe e vogël apo hipotetike. Presidenti mund ta bënte këtë xhest edhe për të kontribuar në përmirësimin e klimës zgjedhore, pra, ka bërë dy herë gabim, një gabim politik për demokracinë dhe një gabim për veten e tij, sepse i vuri hije paanshmërisë. Edhe njerëz që nuk kanë dyshuar në anësinë e Presidentit, siç jam unë, tani nis të dyshoj.

Gazeta Si: Pavarësisht ligjit zgjedhor dhe vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, a keni vendosur piketa për bashkëpunimin parazgjedhor me parti të tjera opozitare?

Dashamir Shehi: Marrëdhënia jonë direkte është me lëvizjen e re politike Djathtas 1912, që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si parti politike dhe që përfaqësues kryesor ka Enkelejd Alibeaj. Ne kemi krijuar një grupim politik në parlament për të mos e ndaluar vetëm aty. Shpresa jonë dhe për këtë po punojmë, është që të tërheqim edhe forca të tjera politike ose individë të tjerë me influencë në shoqëri.

Por, së pari, që ne të vendosim sesi do të shkojmë në zgjedhje është që lëvizja e prezantuar nga zoti Alibeaj të rregjistrohet në gjykatë si parti, pasi është një akt që kushtëzon shumë lëvizje. Megjithatë, unë gjykoj se forma më e mirë për të bashkuar këtë pjesë të opozitës shqiptare që nuk identifikohet e PD-në, me Berishën, me Ilir Metën etj, është lista e hapur. Këtu qendron ndryshimi ynë me ta.

Gazeta Si: Me lirimin e zotit Berisha nga arresti i shtëpisë, a ndryshon diçka për opozitën para zgjedhjeve?

Dashamir Shehi: Nuk mendoj se ndryshon diçka thelbësore. Zoti Berisha e ka drejtuar PD-në edhe duke qenë në shtëpi. Edhe nga arresti i shtëpisë ai ka qenë i pranishëm në ekranë nga 2-3 orë. Tani që është i lirë nuk ka për të patur më atë pretendimin e aktit heroik të vetësakrifikimit për kushtetutën. Tani jemi në një jetë normale të ecurisë opozitare, sepse në kuptimin e ecurisë së shtetit, asgjë nuk është normale. Zoti Berisha ka tani të gjitha mjetet në dispozicion. Ka zyrat, për të cilat u përplasën me njëri-tjetrin, ka vulën, ka lirinë e vet, është kryetar i partisë, ka edhe ligjin me lista të mbyllura, pra ka të gjitha armët për të prodhuar opozitë sipas mënyrës së tij. Ne i urojmë punë të mbarë, por ne nuk bashkëpunojmë.

Na ndajnë disa gjëra parimore. Na ndan ky ligj, që është ndërtuar vetëm për shefat e partisë dhe që përjashton partitë e vogla apo të reja, na ndan raporti me drejtësinë, na ndan edhe raporti me ndërkombëtarët. Pra, na ndajnë disa gjëra shumë të rëndësishme, por gjithsesi, pas zgjedhjeve, koha do të tregojë se ku peshon vota e popullit opozitar. Uroj që opozita t’i fitojë zgjedhjet. Sa më përket, kundërshtari ynë i vërtetë është përballë. Zoti Berisha dhe të tjerë janë munduar ta gjejnë kundërshtarin më shumë anash, sesa përballë. Ne përballë kemi PS-në, kemi një korrupsion të shfrenuar, kemi Edi Ramën. Sa kohë kemi objekti kryeministrinv, unë do të ndjek këtë objektiv. Të tjerët mund të kenë objektiva të tjera dhe mund t’u mjaftojë që të kontrollojnë oborrin e vet.

Gazeta Si: Kur pyetet për aleancat, PD nuk e mbyll asnjëherë derën për ju. Ju keni marrë një vendim final të drejtim të PD-së, e keni të mbyllur derën tuaj për të?

Dashamir Shehi: E kuptoj që, për imazhin e mirë timin, mund t’i duhem PD-së, por unë e kam zgjedhur rrugën time. Këtë përvojë që kam, kam vendosur ta vendos në dispozicion të partive alternative opozitare. Po të ishte për hipokrizi, mbaja këto qendrime dhe pastaj bëja një marrëveshje personale, por, siç e thashë, gjykoj që na ndajnë shumë gjëra, të cilat nuk janë kalimtare.

Ka ardhur dita që kush mendon se duhet të kontribuojë në politikë, duhet të vijë me ide të reja dhe t’i bëjë gjërat ndryshe, ndryshe vazhdimi i të njëjtës histori nuk ka vlerë për shqiptarët. Mund të ketë vlerë për ne që marrim një mandat deputeti, por e kam kaluar këtë fazë. Kam kaq shumë mandate, sa nuk më frymëzon më kjo ofertë. Nëse këtu nuk lëviz diçka për të ndryshuar gjërat, nuk ia vlen të vazhdosh. Nëse nuk do të më ndjekin, kjo tregon se edhe inercia ime kaq ishte dhe ia vlen të largohem. Kaq sa mund të kontribuoj, do të kontribuoj deri në fund për të ndryshuar gjërat, jo për t’i vazhduar siç janë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë