Kosova

DASH: Të respektohet marrëveshja e 4 shtatorit mes Serbisë dhe Kosovës

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të respektojnë marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes dy palëve.

DASH thotë se SHBA-ja mbështet dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se dy palët duhet të rikthen në tryezën e bisedimeve me urgjencë.

“Ne jemi duke vazhduar punën me Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e angazhimeve që kanë marrë në mbështetje të qëllimit për normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për ta mbështetur punën drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me bazë njohjen reciproke e cila vendos themelet për bashkëpunim dhe mirëqenie afatgjatë”, është shprehur Zëdhënësi i DASH, Ned Rice.

“Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe nxisim palët që të ri angazhohen në këtë proces me urgjence për të trajtuar çështje politike dhe teknike”.

“Shpresojmë që partnerët tanë do të respektojnë me mirëbesim angazhimet e marra në Uashington vitin e kaluar. Prandaj ne inkurajojmë të dyja palët të ndërtojnë besimin në procesin e dialogut përmes pjesëmarrjes serioze”.

Një pikë e marrëveshjes së arritur një vit më parë, e nënshkruar nga Avdullah Hoti si Kryeministër i Kosovës dhe Aleksandër Vuçic, si President i Serbisë, është kushti që Prishtina të ndalojë përpjeket për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe Beogradi të ndalë fushatën kundër njohjes së Kosovës.

DASH fton të dyja palët që të jenë të kujdesshme në pika të tilla.

“Ne gjithashtu nxisim Kosovën dhe Serbinë që ta rrisin bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, sikurse rimëkëmbja lidhur me pandeminë dhe përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Në mënyrë që të mbështetet dhe të ketë suksese dialogu dhe përpjekjet tjera, në inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjen e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike”, thekson DASH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë