Ekonomi

DASH: Shqipëria të luftojë korrupsionin për të tërhequr investimet e huaja!

Nga Gazeta 'SI' - Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje Shqipërisë që të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, për të tërhequr kështu investimet e huaja.

“Korrupsioni është një problem madhor jo vetëm në Ballkanin Perëndimor apo në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera në botë. Por nëse do të tërheqësh investime, duhet ta luftosh këtë fenomen dhe të ndryshosh sjellje. Mendoj se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. SPAK ka bërë punë thelbësore dhe me aq sa kam parë, gëzon respektin e qytetarëve. Nëse mund të zhvillosh një organizatë që ndihmon vendin të dalë nga korrupsioni do të dërgosh një sinjal të fortë tek investitorët potencialë. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë të gjitha çështje që duhet të adresohen që vendet e Ballkanit të arrijnë një standard që të bëhen pjesë e BE”, thotë Collen Hyland, Drejtore për Çështjet e Europës në DASH gjatë një conference për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Veç luftës ndaj korrupsionit, një tjetër çështje që Shqipëria duhet të adresojë është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, thekson Banka Botërore.

“Nëse fokusohemi te kapitali njerëzor do të thotë të evidentosh çështjet te të cilat mund të ndërhysh. Duhet të edukohen të rinjtë për të qenë ekonomikisht aktivë dhe të gjejnë vende të mira pune. Ka shumë gra që nuk mund të punojnë sepse duhet të kujdesen për fëmijët apo sepse shkollat mbyllen shpejt. Ato mund të punojnë vetëm diçka të pjesshme. Duhet bërë diçka në këtë drejtim për integrimin e tyre. Po ashtu, ka të rinj që janë jashtë edukimit dhe tregut të punës. Mund të ofrohen trajnime për ta”, shprehet Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore në Shqipëri.

Gjatë një konference me fokus rritjen ekonomike përmes investimeve inteligjente, Banka Botërore bëri apel për edhe për uljen e mëtejshme të numrit të shqiptarëve që jetojnë në varfëri duke treguar se përllogaritën rreth 360.000 ose 14% e popullsisë së Shqipërisë, që jeton në varfëri.

“13.7% e popullsisë është në varfëri. Ndërkohë ka shumë të tjerë që gjenden në situatë vulnerabël, që gjenden në kufirin për t’u bërë të varfër. Nga ana tjetër nuk po ka mjaftueshëm kujdes për kapitalin njerëzor. Po ka shumë vëmendje ndaj emigrimit sesa ndaj kapitalit njerëzor. Emigrimi është një proces, dhe nuk duhet menduar për ta ndaluar. Kapitali njerëzor duhet trajtuar më me kujdes. Duhet të punojmë për edukimin dhe aftësimin e të rinjve”, tha Salinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë