SHBA thotë se mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.
Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun. (VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




