Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.
“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.
Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiç,nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me Vuçiçin.
Dy ditë më parë, Chollet ka biseduar edhe me Kurtin për rëndësinë e takimit të 27 shkurtit.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




