Departamenti Amerikan i Shtetit ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij. Vendimi i marrë nga Sekretari i Shtetit, thekson se kryebashkaku Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni.
Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.
Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të sotëm, Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Vendimi i sotëm, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës.
Dako bëhet në këtë mënyrë zyrtari i tretë i lartë nga Shqipëria së bashku me Adriatik Llallën dhe Tom Doshin që u ndalohet hyrja familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Llallës dhe Doshit u është ndaluar hyrja për të njëjtat arsye.
Ndërsa Vangjush Dako i pyetur nga mediat për çështjen në fjalë është shprehur se “nuk kam asnjë koment për këtë çështje”. / VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.