Nga Gazeta 'Si'- Ish-zv.kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi reagoi në rrjetet sociale pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e shpalli atë “të padëshirueshëm”, për korrupsion të konsiderueshëm, në rastin e ndërhyrjes në një proces gjyqësor.
Grubi shkroi në rrjetet sociale se mbështet mbrojtjen e vlerave demokratike perëndimore, teksa shton se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje për të bërë transparencë.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht.
Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, shkruan Grubi.
Gjithashtu, në listën e zezë të SHBA është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.