Nga Gazeta ‘Si’ – Kryetari i Partisë së Lirisë ka reaguar për darkën informale që u organizua nga kryeministri grek Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria nuk mori pjesë, pasi Begaj refuzoi ftesën.
Meta shkruan se Partia e Lirisë është kundër qëndrimit të kryeministrit Rama, që sipas tij po zbaton një politikë të jashtme personale, kundër interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes perëndimore të Shqipërisë.
“Shqipëria- shkruan Meta- nuk mund të ishte e munguara e madhe në takimin e prespektivës europiane të rajonit tonë dhe të linte vendin bosh në mesin e vendeve me të cilat bashkëndajmë vlerat europiane”.
“Kjo rrugë do të bëhej më e lehtë nëse dhe investimi i Bashkimit Europian dhe i perëndimit për rajonin tonë, do të fokusohej me prioritet për funksionimin e shtetit të së drejtës, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj pushteteve autokratike.
Është jetike për ne dhe të gjithë Europën që në situatën sot kërcënuese gjeopolitike, siç ka treguar agresioni rus ndaj Ukrainës, të jemi të bashkuar rreth vlerave dhe parimeve europiane”, shkruan Meta ndër të tjera në reagimin e tij.
Ai ka theksuar se PL përkrah vendosmërinë e deklaratës së djeshme për Ukrainën dhe Moldavinë për të qenë pjesë e proceseve integruese në familjen europiane.
“20 vjet me parë Shqipëria ishte përpara Malit të Zi dhe Serbisë në procesin e integrimit europian, ndërsa ka shënuar nje vonesë historike në dekadën e fundit vetëm për shkak të minimit të reformave të besueshme për qëllim të kapjes së shtetit në çdo qelizë nga Kryeministri aktual.
Ndaj beteja për çkapjen e shtetit dhe institucioneve të pavarura mbetet vendimtare për të ardhmen europiane të vendit”, deklaron Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




