Gazeta Si – Një zjarr i madh ka shpërthyer në godinën historike të bursës së vjetër në qendër të Kopenhagës në Danimarkë. Flakët rrëzuan majën 54 metra të lartë të ndërtesës historike, e cila ishte në rinovim.
“Është një zjarr shumë, shumë i madh. Ne po përpiqemi ta shuajmë dhe do të duhet të punojmë për një kohë të gjatë”, – tha drejtori i menaxhimit të Emergjencave në Kopenhagë, Jakob Vedsted Andersen.
“Borsen”, një nga ndërtesat më të vjetra në kryeqytetin danez, u porosit nga mbreti Christian IV dhe u ndërtua midis viteve 1619 dhe 1640.
E vendosur pranë Parlamentit Danez, Pallatit Christiansborg, ndërtesa priti shkëmbimet e bursave financiare deri në vitet 1970 dhe aktualisht është selia e Dhomës Daneze të Tregtisë.






Brenda ka një koleksion të madh veprash arti, shumë prej të cilave janë në rrezik prej zjarrit. Policia tha në platformën “X” se kishte rrethuar zonën dhe kishte bllokuar disa zona të qendrës së qytetit për të shuar zjarrin.
“Ne jemi dëshmitarë të një spektakli të tmerrshëm”, – i thanë ata Dhomës Daneze të Tregtisë. Për momentin nuk dihen shkaqet e zjarrit.






“Ky është Notre-Dame ynë”, shkroi ministri danes i Mbrojtjes në platformën “X”, duke e krahasuar atë me zjarrin që përfshiu çatinë dhe majën e Katedrales në qendër të Parisit në vitin 2019.
“Ndërtesa historike, maja e së cilës kishte formën e bishtave të katër dragonjve të ndërthurur, ishte në rikonstruksion kur shpërtheu zjarri. Skelat përreth ndërtesës e bënë më të vështirë për shërbimet e urgjencës ndalimin e zjarrit, ndërsa çatia prej bakri ruante nxehtësinë”, – tha Departamenti i Zjarrfikësve të Kopenhagës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




