Nga Gazeta ‘Si’- Danimarka merr sot presidencën e radhës së Bashkimit Europian, duke e vendosur sigurinë e kontinentit në krye të axhendës së saj – veçanërisht zbatimin e vendimit për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, të marrë në samitin e fundit të NATO-s.
“Është deklaruar qartë se siguria është një përparësi absolute,” tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen.
“Tani kemi një qëllim të ri për NATO-n, i cili është miratuar. Pas përcaktimit të objektivave të NATO-s, hapat konkretë varen nga politikat e BE-së”, shtoi ajo.
Në fund të qershorit, shtetet anëtare të NATO-s formalizuan angazhimin për të investuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në siguri dhe mbrojtje deri në vitin 2035, nga të cilat të paktën 3.5% do të shkojnë për shpenzime ushtarake. Spanja e cilësoi këtë objektiv si “të paarsyeshëm” dhe kërkoi fleksibilitet në zbatimin e tij.
Megjithatë, Danimarka dëshiron të ecë përpara me planin evropian të paraqitur në mars, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të BE-së, përmes procedurave të thjeshtuara dhe mundësisë së marrjes së kredive për të financuar investimet në industrinë evropiane të mbrojtjes.
“Situata e sigurisë në Europë është e paqëndrueshme dhe, për këtë arsye, e rrezikshme. Nëse shohim historinë e kontinentit, dimë se konfliktet kanë tendencë të përhapen. Ka shumë tensione sot, dhe kjo mund të shkaktojë të tjera”, vlerësoi Frederiksen.
Danimarka është ndër vendet që e mbështesin fuqishëm Ukrainën. Që nga marrja e detyrës në vitin 2019, Frederiksen ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen, me shpenzimet që aktualisht tejkalojnë 3% të PBB-së.
Përparësi edhe për migracionin
Në kuadër të programit të saj për një “Europë të Sigurt”, presidenca daneze i jep përparësi të lartë edhe trajtimit të migracionit të parregullt, duke premtuar “zgjidhje të reja dhe inovative”.
E njohur për një politikë të ashpër migracioni, Danimarka synon të ecë në dy drejtime, përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së dhe kufizimin e ndikimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Në vitin 2024, Danimarka miratoi vetëm 860 kërkesa për azil – pothuajse 13 herë më pak se në vitin 2015. Kryeministrja Frederiksen mbështet idenë që kërkesat për azil të përpunohen jashtë territorit danez.
Dy vite më parë, qeveria e saj pezulloi planet për të transferuar azilkërkuesit jashtë Europës – ndoshta në Ruandë – për përpunimin e kërkesave të tyre, me shpresën për të arritur një marrëveshje të përbashkët me BE-në mbi këtë çështje.
Në një tjetër iniciativë, Danimarka, së bashku me Italinë dhe shtatë vende të tjera, ka kërkuar rishikimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në raport me migracionin, duke argumentuar se ajo “ndonjëherë mbron njerëzit e gabuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




