Futboll

Daniele de Rossi tërhiqet nga futbolli: “Dua të kthehem tek familja ime”

Daniele de Rossi vendos të varë këpucët në gozhdë. Mesfushori 35-vjeçar italian, pas një karriere të gjatë me Romën dhe pas një periudhe kohe të aktivizuar në kampionatin argjentinas me Bocan, gjatë një konference për shtyp njoftoi se ka ardhur momenti të tërhiqet nga futbolli.

“Nuk pata probleme fizike, dua vetëm të kthehem në Romë tek familja ime. Eshtë një situatë që shkon kështu nga tetori. Po i them lamtumirë një klubi që më ka hyrë në zemër. Jam i trishtuar, do kisha dashur të luaja edhe 10 vjet të tjerë.Vajza ime e madhe qendroi në Itali. Është një vajzë që ka nevojë për të atin pranë. Këtu jemi larg, të bësh 14 orë fluturim nuk është se të shkosh me makinë nga Trigoria në shtëpinë time. Nuk ka arsye të tjera, nëse do të isha 25 vjeç do të kisha vendosur shumë ndryshe. Nuk ka ndodhur asgjë, por ndjej nevojën të kthehem në Romë”.

Përsa i përket asaj çfarë do të bëjë pas largimit nga fushat e lojës, ish-kapiteni verdhekuq e ka një ide të qartë për të ardhmen: “Do të vazhdoj të punoj në botën e futbollit, nuk e di ende në cilin rol. Pas Romës nuk mendoja se mund të doja një tjetër klub si Boca. Nuk pata probleme me askënd. Do të jem gjithnjë pjesë e Boca, ndoshta rrugët tona do të takohen përsëri”.

Sipas ‘Il Tempo’, trajneri i përfaqësueses italiane, Roberto Mancini tashmë e pret ta ketë si bashkëpunëtor në stafin teknik të kaltërve, ndërkohë që De Rossi pritet që të nisë edhe kursin e trajnerëve që mbahet në Coverciano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë