Nga Gazeta ‘Si’ – Mbrëmjen e kaluar mediat në Kosovë publikuan një pjesë tjetër të shkurtër të bisedës mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiç.
Biseda e cila është zhvilluar në kohën kur Milan Radoiçiç ishte shpallur ‘non-grata’ nga SHBA-ja, ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiç i Listës Serbe.
Përgjime të tilla mes tyre janë publikuar edhe një vit më parë por Kusari-Lila insistoi se vetëm për 3 minuta e ka dëgjuar Radoiçiçin, ndërkohë që sipas opozitës, kjo në incizimet e djeshme u konfirmua si e pavërtetë.
Pasi nisën sërish aludimet një ditë më parë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka theu heshtjen e partisë së tij.
Ai deklaroi me anë të një statusi në Facebook se trashëgimia e tyre (pushtetet e kaluara) nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes.
“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiçin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiç ik maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit.
Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shkruar ai.
Sekuenca e publikuar nga dialogu mes tyre:
“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiç deputetes së VV-së.
“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.
“Alo, vendase a po njihemi?”, e pyet Milan Radoiçiç
“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.
Radoiçiç: “Si je? Si po kalon?
Kusari-Lila: “Në Kuvend, kam pasur disa takime. Tani u lirova, po shkoj në shtëpi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.