Skuadra e Las Palmas kanë kaluar një aventurë aspak të këndshme. Klubi i La Liga është përballur me një telash të pazakontë para sfidës së sotme ndaj Seviljes, pasi një pjesë e futbollistëve kanë humbur avionin për shkak se kanë dalë për kafe, duke u bërë objekt talljesh në rrjet nga tifozët.
Klubi i Las Palmas kishte organizuar udhëtimin në darkën e të shtunës për sfidën e sotme që luhet në Sevilje dhe udhëtimi do të bëhej me tranzit në Madrid. Në fillim lojtarëve u tha se do të kishte një vonesë në nisjen e avionit dhe një grup prej 15 futbollistësh dhe 2 fizioterapistë shkuan në një nga lokalet e njohura të aeroportit të Gran Kanarie.
Ata u vonuan për t’u paraqitur më pas në check-in dhe humbën avionin me të cilin pjesa tjetër e ekipit udhëtoi fillimisht drejt Madridit e më pas drejt Seviljes. Sigurisht klubi u vu në lëvizje dhe u detyrua të organizonte një udhëtim charter për futbollistët që kishin mbetur në aeroport, në mënyrë që edhe ata të mbërrinin në orët e para të mëngjesit të së dielës në Sevilje.
Ndërkohë tifozët nuk kursyen as talljet duke pyetur në rrjetet sociale se sa i madh është aeroporti, duke nënkuptuar se të humbësh avionin për një kafe është e tepruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




