Ka ndodhur

Rrëmbimi i Enver Stafukës, si u zhduk dëshmitari i ngjarjeve më të bujshme kriminale

Durim Bami dhe Ramazan Rraja dyshohet se janë personat e veshur me uniforma policie që shtatë vite më parë kanë rrëmbyer e më pas zhdukur Enver Stafukën, edhe ky një emëri i njohur i botës së krimit.

Neë24 ka publikuar disa pamje, ku për herë të parë del Durim Bami dhe Ramazan Rraja në skenë. Personi i tretë është Gentjan Bejtja, ndërsa një person i katërt mbetet ende i paidentifikuar.

Nga pamjet e transmetuara, i pari që afrohet në sheshin para lokalit ku ndodhi rrëmbimi dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka dhe ora shënon 19:23 minuta. Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami.

Të katër personat, futen në lokal. 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Stafuka dyshohet si personi që i kishte siguruar makinën autorëve të vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Për vrasjen e Lamajt Arben Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm. Gazetari Artan Hoxha shpesh është shprehur se Stafuka ka patur dijeni për rreth 37 ngjarje kriminale dhe se mund të ketë lënë pas një kasetë me rrëfimet për këto ngjarje ku ka treguar emrat e porositësve dhe kriminelëve.

Enver Stafuka u rrëmbye në qendër të Fushë-Krujës në shkurt të 2015-ës. Ai rezulton i zhdukur që prej asaj kohe, ndërsa dyshohet se mund të jetë vrarë dhe më pas trupi i është zhdukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë