Politike

Dako: Telefonin do t’ia hap çdo qytetari. PD-LSI: Qeveria të ikë. Rama i lidhur me krimin

Pas publikimit të audiopërgjimeve në prestigjiozen gjermane ‘Bild’, vjen edhe reagimi i kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
Sipas tij, përgjimet janë absurde, pasi si kryetar bashkie do t’ia hap telefonin çdo qytetari.
“I pashë dhe i dëgjova përgjimet. Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam kryetar bashkie dhe telefonin do t’ia hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike”, shprehet Dako për Ora News.
Sipas Dakos u takon organeve kompetente për ta zgjidhur.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet për të mësuar rrethanat e daljes së sekretit hetimor të përgjimeve audio të kryera mes Astrit Avdylajt dhe Vangjush Dakos dhe zyrtarëve të tjerë të PS-së në qarkun e Durrësit.

Kandidati i PS-së për kryetar në Shijak: Jap dorëheqjen nëse vërtetohet se kam hequr gjobën

Në audiopërgjimet e publikuara nga prestigjiozja “Bild”, njëra nga gjashtë bisedat në përgjime është ajo mes Elton Arbanës dhe Astrit Avdylit.
Elton Arbana, aktualisht kandidat për kryetar bashkie nga PS-ja për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në momentin që biseda është përgjuar, 31 mars 2017 ka qenë kryetar i PS-së në qytetin e Shijakut.
Lidhur me skandalin e përgjimeve, Elton Arbana thotë se kandidimi i tij për kryetar nuk lidhet me Avdylajt dhe se nëse vërtetohet se ka ndërhyrë në institucione për të hequr gjobën që flitet në përgjime jep dorëheqjen.
“Kandidimi im nuk lidhet me këto momente që zotëria është pas hekurave. Kandidimi im erdhi krejt natyrshëm. Nëse vërtetohet se unë kam ndërhyrë në atë të ashtuquajturën gjobë jap dorëheqjen”, është shprehur Arbana.

Basha: Përgjimet e ‘Bild’ tregojnë fuqinë e krimit

Pas përgjimeve të “Bild”, ku flitet për shitblerjen e votës në Qarkun e Durrësit, vjen edhe reagimi i kryedemokratit Basha.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Basha i cilëson 6 përgjimet e sotme si një tronditje për shqiptarët dhe të huajt, pasi tregojnë qartë që Edi Rama ka bërë pakt me krimin.
“Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze BILD kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës”, shkruan kryedemokrati Basha.
Sipas Bashës këto përgjime tregojnë fuqinë e krimit të organizuar.
“Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar:
Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS.
Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij.
Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërëcënojë për votën e tyre.
Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin.
Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit”, vijon Basha.
E vetmja zgjidhje thotë Basha është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore.
“Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, përfundon Basha.

Përgjimet, LSI: Qeveria të ikë për 24 orë, koha e hakmarrjes ka ardhur

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas nxjerrjes së disa përgjimeve nga gjermania “Bild”, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të qeverisë “Rama”. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për median shprehet se nga përgjimet e Prokurorisë del hapur dhe pastër se si kriminelët kanë vjedhur votat dhe kjo qeveri është ndërtuar mbi bazën e këtyre votave.
“Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij që nga ky çast nuk mund të qëndrojnë më as 24 orë në zyrat e tyre. Qëndrimi i mëtejshëm, qoftë edhe një orë në zyrat e tyre është thjesht dhe vetëm krim shtetëror, është puç shtetëror, është grabitje shtetërore e pushtetit në mënyrën më të paligjshme dhe më antikushtetuese. Është shumë e qartë që në rast se këta nuk largohen urgjentisht nga zyrat e tyre, është krejtësisht legjitime që populli shqiptar i cili ka votuar dhe voton pushtetin që del nga vota e tij, nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të qeveriset nga kriminelët, të cilët, është tashmë shumë e qartë që janë ata që qeverisin në këtë vend”, deklaroi Vasili.
Sipas tij, çdo shqiptar e ka të qartë, që kur troket në dyert e shtetit të Rilindjes, zëre se ka trokitur në dyert e kriminelëve dhe është në mëshirën e tyre për të zgjidhur hallin që ka dhe populli ka të drejtën e tij legjitime të mbajë të gjithë qëndrimet që ai shikon të arsyeshme, me të gjitha instrumentet dhe mjetet që ai shikon të arsyeshme për të bërë as më shumë e as më pak, pra për të vendosur pushtetin e tij në këtë vend. 
“Koha e kriminelëve në pushtet ka mbaruar. Çdo sekondë e mëtejshme e tyre është krim, është atentat, është puç ndaj qytetarëve të ndershëm. Betejën e kanë fituar qytetarët e ndershëm. Betejën e fitoi e vërteta, megjithëse kjo e vërtetë erdhi nga jashtë Shqipërisë. Do ishte mirë që të vinte nga media shqiptare. Është një e vërtetë e cila duhet të buçasë fort në veshin e të gjithë atyre që flasin shqip, por edhe të atyre që flasin anglisht, për të parë sesi është shembur përdhe institucioni i zgjedhjeve dhe i votës së lirë në Shqipëri, dhe ka rilindur falë kësaj shembje në dhe të pushtetit të lirë, ka rilindur pushteti më i zi dhe më i shëmtuar se kurrë. Prandaj, ora ë së vërtetës ka trokitur. Këta qeveritarë dhe ky kryeministër duhet të braktisin zyrat e tyre një orë e më parë, pasi ora e hakmarrjes popullore ka ardhur”, theksoi Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë