Nga Gazeta ‘Si’-Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se lidershipi serb, e ka thënë më parë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë ai i cili do të ndezë fuçinë e barutit.
Për RTS, Daçiç u shpreh se po quhen terroristë, ata të cilët nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Tani po arrijmë në atë pikë ku ata që kundërshtojnë terrorin e Kurtit dhe që nuk e pranojnë Kosovën e pavarur quhen terroristë. Kur Serbia shpalli grupet terroriste, deri në vitin 1999, në Kosovë u vranë nga 300 deri në 400 policë. A ka shprehur dikush ndonjëherë ngushëllime nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ai tha se serbët nuk kanë të drejtë as të shprehin në mënyrë paqësore pakënaqësinë e tyre, ndërsa popullata shqiptare në vitet e 90-ta, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kishte të drejtë të luftonte kundër pushtetit serb.
“Ne nuk justifikojmë asnjë veprim të dhunshëm, na vjen keq për vrasjen e një polici, na vjen keq për humbjen e jetëve njerëzore të serbëve, na vjen keq në përgjithësi që një incident i tillë ka ndodhur sepse nuk është në interesin e Serbisë mbi të gjitha”, nënvizoi kryediplomati serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




