Futboll

Çudira te Vllaznia, në mes të ndeshjeve europiane luan miqësore në Shkodër

Gazeta Si – Njoftimi i fundit (sot) në faqen zyrtare të Vllaznisë është ai i ndeshjes së radhës, që normalisht duhej të ishte ajo e kthimit ndal Linfild në Ligën e Konferencës. Por jo, është njoftimi për një ndeshje miqësore që do të luhet sot në mbrëmje, në ‘Loro Boriçi’, ndaj Buduçnostit të Malit të Zi.

Dikush mund të mendojë se ka një gabim në këtë njoftim, por përsëri jo. Shkodranët, vetëm 2 ditë pas ndeshjes së parë me Linfild, ku humbën 3-1, do të luakan një miqësore, për të cilën është e vështirë të gjesh një përgjigje pse pikërisht sot. Pse në mes të dy ndeshjeve europiane dhe aq më tepër kur vijnë nga një humbje që e ka kompromentuar ndjeshëm kualifikimin.

Janë nga ato çudirat shqiptare, që ndodhin rëndom në futbollin shqiptar, por në nivelin e Vllaznisë është e pafalshme. Vllaznia nuk është në momentin më të mirë të saj, ka ndryshuar shumë. Po sikur në këtë miqësore (larg qoftë) të dëmtohet ndonjë nga lojtarët titullarë? Ose më thjeshtë akoma: pse lojtarët duhet të stërlodhen, kur përpara kanë misionin e përmbysjes ndaj Linfild?

Krejtësisht pa sens, asgjë nuk e justifikon organizimin e kësaj miqësoreje. Madje tregon nivelin amator të një klubi me emër kaq të madh në futbollin shqiptar. Imagjinoni, sikur Reali, Barcelona, Milani, Bajerni, Liverpuli etj., të organizonin një miqësore në mes të dy ndeshjeve kualifikuese europiane! Do të ishte një çmenduri…

Vërtet është një çmenduri, me të cilat futbolli shqiptar është mësuar. Jo më larg se një ditë më parë u shkarkua trajneri i një skuadre të Kategorisë së Parë vetëm pas disa seancash stërvitore. Ishte vetëm 26 vjeç (një çudi më vete kjo) dhe nuk pati shansin as të debutonte. Në futbollin tonë të brishtë duket se çudia zgjat më pak se 3 ditë…

Në Shkodër sot në mbrëmje mund të kënaqen sadopak në stadium nga Vllaznia e tyre. Humbja irlandeze edhe mund të lihet pas, e sigurt është se miqësorja me Buduçnostin do të prodhojë batutat apo barcoletat e radhës në një nga ambientet më futbolldashëse në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë