Prej disa javësh në mediat britanike kanë qarkulluar artikuj, sipas të cilëve Shqipëria po zhvillonte bisedime të fshehta me Britaninë e Madhe për të strehuar emigrantë të vendeve të treta, që autoritetet britanike i dëbojnë pasi i kapin ilegalisht në vendin e tyre.
Qeveria shqiptare ka mohuar këto informacione si krejtësisht të rreme, ndërsa në seancën parlamentare të kësaj të enjte, ku në rend dite ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes së Shqipërisë me Britaninë e Madhe për kthimin e emigrantëve, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi shpjegoi, sipas tij, se burimin e këtyre lajmeve të rreme.
Ministri tha se këto informacione janë keqinterpretim i marrëveshjes së nënshkruar mes dy ministrive të Brendshme në muajin korrik të këtij viti, gjatë vizitës së ministres britanike, Priti Pattel.
“Në marrëveshje është përcaktuar qartë se Shqipëria do të presë si vend tranzit vetëm shtetasit e vendeve të treta që kapen në Britaninë e Madhe që kanë mbërritur atje drejtpërdrejt nga Shqipëria. Marrëveshja përcakton se në rast se këta shtetas mbeten në Shqipëri, Britania e Madhe ka detyrimin që t’i tërheqë”, deklaroi ministri Bledi Çuçi.
Media britanike “The Times” shkroi në mes të muajit nëntor se ministrat e qeverisë së Boris Johnson shpresojnë që të mbyllin një marrëveshje me Shqipërinë brenda pak kohësh, që do ta kthente Shqipërinë në një kamp për refugjatët e vendeve të tjera të dëbuar nga Britania. Sipas artikullit, emigrantët që kapen duke hyrë në mënyrë ilegale në Britani përmes varkave të vogla do të transferohen në Shqipëri brenda javës nga momenti i kapjes së tyre.
Kjo do të shmangte mundësinë që këta emigrantë të aplikonin për azil në qendrat azilkërkuese britanike dhe sipas qeverisë së vendit ishullor, njëkohësisht do të garantonte sigurinë e jetës së tyre.
“Bisedime të fshehta me Qeverinë e Tiranës për të hapur qendra strehimi në Shqipëri janë duke u zhvilluar. Pas një serie bisedimesh të dështuara me vende të tjera për strehimin e këtyre emigrantëve, kabineti ka shpresa të mëdha për një marrëveshje pozitive me Shqipërinë”, thotë në artikull “The Times”.
Sipas medias britanike, kostoja që do të paguanin taksapaguesit britanikë për këtë marrëveshje do të ishte rreth 120 mijë euro për refugjat, duke përfshirë këtu transportin dhe shpenzimet e tjera për jetesën e përkohshme të tyre në Shqipëri.
Në tetor,”The Sun” raportoi se të gjithë emigrantët e paligjshëm që kapen duke kaluar La Manshin me varka të vogla nga Franca, do të ndalohen dhe do të dërgohen në Shqipëri në kuadër të menaxhimit të krizës së re të azilkërkuesve. Sipas “The Sun”, zyrtarët në Londër dhe në Shqipëri janë në bisedime për të nënshkruar marrëveshjen që e lejon Britaninë të dërgojë emigrantët e paligjshëm për strehim në Shqipëri.
Duke cituar burime pranë ministrisë së Brendshme britanike, “The Sun” shkruante se “sekretarja e Brendshme Priti Patel e ka bërë të qartë se dëshiron që kjo marrëveshje të arrihet. “Negociatat janë në një fazë teknike. Deri tani janë përcaktuar vetëm detaje si vendndodhja dhe numrat e saktë”, shkruante The Sun.
Por, nga Qeveria shqiptare këto pretendime janë hedhur poshtë.
“Lajmi se Shqipëria do të ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë, e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne”, shkruan drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga. Lajme të rreme i cilësoi edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
Sipas marrëveshjes që është dorëzuar në Kuvend për ratifikim, pala shqiptare do të mbulojë një pjesë të kostove të riatdhesimit, ndërsa ajo angleze merr përsipër në raste të veçanta shoqërimin me roje sigurie, apo personel shëndetësor të personit apo personave që do të dëbohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



