Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e sotme maratonë të Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste Bledi Çuçi ka folur lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen McGonigal.
Ai theksoi se pavarësisht dakordësisë për shqyrtimin e kërkesës, dokumenti i paraqitur nuk përmbush kriteret ligjore të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Çuçit, kërkesa e dytë e paraqitur nga opozita nuk përmban ndryshime nga ajo e para dhe nuk ofron një objekt alternativ, as ndarje tematike sipas rekomandimeve kushtetuese. Ai theksoi se formatimi formal nuk mjafton kur mungon përmbushja e kushteve ligjore.
“38 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal. Në mbledhjen e kryetarëve për të caktuar datën për ngritjen e këtij komisioni kemi rënë dakord që objekti nuk ka qenë i plotë dhe, pavarësisht se ligji nuk e detyron drejtpërdrejt konferencën që t’i japë kohë hartuesve të kësaj kërkese për ta parë dhe sjellë në kushte ligjore, duke zbatuar jurisprudencën, ne i dhamë kohë hartuesve ta sjellin kërkesën në kushte ligjore.
Kanë sjellë kërkesën e dytë pa ndryshime nga kërkesa e parë dhe, me keqardhje them, që konstatoj se nuk ka asnjë objekt alternativ të propozuar, nuk ka identifikim të një fushe tjetër hetimore me tjetër tematikë, dhe nuk ka ndonjë ndarje sipas rekomandimeve që ka bërë Gjykata Kushtetuese. Pra, sërish nuk kemi një formulim alternativ”, tha Çuçi.
Deputeti socialist rikujtoi se për ngritjen e komisioneve hetimore duhet të ekzistojnë prova konkrete që ngrejnë dyshime, dhe se e drejta për hetim parlamentar nuk është e pakufizuar. Ai citoi tre kriteret e Gjykatës Kushtetuese.
“Formati dhe mënyra e paraqitjes janë në përputhje me vlerësimet formale, por nuk mjaftojnë kur nuk zbatojnë kushtet ligjore. Neni pesë përcakton qartë që Komisionet Hetimore ngrihen kur ekzistojnë prova konkrete që ngrejnë dyshime. Gjykata Kushtetuese ka pohuar se e drejta për të ushtruar hetim parlamentar nuk mund të jetë e pakufizuar. Me qëllim që objekti i hetimit t’i zbatojë këto standarde, Gjykata Kushtetuese parashikon 3 kritere që duhet të zbatohen: Çështja duhet të ketë lidhje me çështje ligjore. Objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje dhe subjekte konkrete.
Dhe tre, duhet të ekzistojnë të dhëna apo hetime të mjaftueshme për ekzistencën e një çështjeje për të cilën është i nevojshëm hetimi. Në rastin konkret, fatkeqësisht vëmë re që nuk paraqiten të dhëna e prova të mjaftueshme që vërtetojnë që institucionet ligjvënëse kanë kryer veprime të paligjshme”, tha Çuçi.
Në përfundim, Çuçi tha se nuk ka asnjë dokument zyrtar nga hetimet amerikane që të përmbajë akuza apo të vërtetojë vendimmarrje mbi akte të falsifikuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



