Covid-19 trondit Juventusin. Portugezi Cristiano Ronaldo, ka rezultuar pozitiv, pas një testi të kryer orët e fundit në grumbullimin e Portugalisë në prag të sfidës së të mërkurës në Nations League kundër Suedisë. Ai para 2 ditësh luajti titullar në supersfidën ndaj Francës që përfundoi në barazim 0-0.
Në një komunikatë të Federatës portugeze është bërë e ditur se CR7 “është mirë, është pa simptoma dhe është vendosur në izolim”. “Si pasojë e rastit të pozitivitetit, lojtarët e tjerë kanë kryer teste të reja këtë të martë në mëngjes, të gjithë me rezultat negativ, e janë në dispozicion të teknikut Fernando Santos për stërvitjen e pasdites, në Cidade do Futebol” saktëson komunikata.
35-vjeçari është vetizoluar dhe nuk do të marrë pjesë në sfidën Porugali-Suedi. Lajm i keq edhe për Juventusin, pasi do i mungojë të paktën për 2 javë sulmuesi kryesor.
Të menjëhershme kanë qenë edhe reagimet. Për Presidentin e Republikës Portugeze, Ronaldo është një lojtar që vjen nga jashtë dhe pozitiviteti i tij është i importuar dhe nuk ka lidhje me situatën e Covid në Portugali. Ndërkohë, një televizioni portugez, CMTV e ka filmuar CR7 në një hotel të qendrës sportive të Federatës Portugeze të Futbollit, që përdoret për ekipet e moshave, ku mesa duket lojtari do të kalojë ditët e karantinës.
Por, ndërsa Cristiano Ronaldo duket se gëzon shëndet të mirë, lajmi për pozivitetin e tij po trondit klubet e mëdha të Europës, me Realin e Madridit në krye. Gjashtë ditë më parë, Portugalia luajti derbin e gadishullit Iberik me Spanjën dhe pas ndeshjes, Sergio Ramos postoi një foto në dhomat e zhveshjes përqafuar me ish shokun e tij të skuadrës te Reali, pikërisht CR7. Fundjavën e kaluar, Portugalia luajti edhe me Francën dhe sërish një tjeter lojtar i Realit, Rafaelle Varanne postoi në Instagram një tjetër foto krahaqafë me Ronaldon. Pa llogaritur më tej duelet dhe kontaktet e afërta të Ronaldos me të tjerë yje të Spanjës dhe Francës, lojtarë të klubeve të mëdha europiane, nga PSG tek Atletiko e Chelsea, e sërish në fund tek Juventus që tani po dridhet edhe për Adrien Rabiot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




