Politike

Ç’pritet të ndodhë me Ahmetajn pasi t’i hiqet imuniteti. Avokati: Ndodhet në Angli te familja

Gazeta Si – Me autorizimin nga ana e Kuvendit për arrestimin e Arben Ahmetajt, SPAK tashmë e ka rrugën të hapur për të ndjekur të gjithë procedurën ligjore.

Tashmë, ish-zv/kryeministri, edhe pse prej disa ditësh “në arrati” jashtë vendit, nuk ka më imunitetin që gëzon nga ky post, por gjithsesi vijon të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Megjithatë, avokati i tij, Henrik Ligori, zbuloi për mediat, se klienti i tij aktualisht ndodhet në Angli, ku po qëndron pranë familjes.

Henrik Ligori, avokati i ish-ministrit Arben Ahmetaj

I pyetur nëse do të kthehet ish-zv.kryeministri për t’u përballur me drejtësinë, Ligori u shpreh se Ahmetaj do të vijë në Shqipëri kur të ketë lirinë.

“Zoti Ahmetaj ndodhet pranë familjes së tij, pranë vajzës së tij në Angli. Do të vijë kur të ketë liri”, tha avokati Ligori.

Por cilat janë hapat ligjorë dhe çfarë pritet të ndodhë tani?

Në fakt, Ahmetaj mund të qëndrojë deputet deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata dhe deri më tani nga ai nuk ka ndonjë sinjal për dorëheqje. Po ashtu ai duhet të shkojë në Kuvend pa kaluar 6 muaj, pasi në të kundërt ai e humb mandatin automatikisht.

Proceduralisht, Kuvendi fillimisht duhet t’i nisë shkresën Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.

Më pas prokuroria merr masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme. Pas kësaj, organi i akuzës i nis shkresën policisë, e cila duhet të ekzekutojë vendimin e gjykatës.

Policia nis kërkimet brenda vendit për Ahmetajn për një afat 3 javor. Nëse nuk e gjen brenda vendit, atëherë Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkohë për kontrollin e banesës duhet vetëm që urdhër-ekzekutimi i SPAK të firmoset nga gjyqtari paraprak i GJKKO-së.

Megjithatë, ish-zv/kryeministri nuk ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh. Ai ka reaguar në rrjetet sociale gjatë ditës së sotme ku është shprehur se nuk është në arrati dhe se do të dalë kur “e vërteta të marrë rrugë”.

Mungesa e tij (edhe pse për arsye familjare, siç pohoi në një postim), pas autorizimit nga Kuvendi për arrestim, mund ta rëndojë pozitën e ish-zyrtarit të lartë.

Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, deputetët autorizuan SPAK-un këtë të premte që të ushtrojë edhe kontroll në banesën e ish-zv/kryeministrit.

Deputetët të cilët abstenuan ishin Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Të gjithë deputetët e tjerë që ishin të pranishëm votuan pro.

Mbi ish-zv/kryeministrin rëndojnë 3 akuza: pastrim parash, korrupsion pasiv në 6 raste dhe pastrim i produkteve të veprës penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë