Më të mirat 2021

Ç’po ndodh me PD-LSI, marrëdhënia Basha-Kryemadhi në rënie të lirë…

Më 1 mars ajo u vesh me blu, ngjyrën e Partisë Demokratike kur iu drejtua një hoteli të njohur në Tiranë për të firmosur marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lulzim Bashën.

Vetëm maskën antiCovid e kishte të kuqe, shenjë e LSI. Me ekipet që i shoqëronin të dy liderët e opozitës, ata shfaqnin entuziazëm për një fitore të sigurt në 25 prill.

 Hodhën firmat në një dokument me 13 pika dhe u angazhuan nga nxjerrja e vendit nga kriza e rëndë ekonomike, përmbushja e kushteve për hapjen e negociatave, rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit, frenimi i shpopullimit masiv, hapja e vendeve të punës, luftë ndaj krimit, vëmendje rinisë, rindërtimit, pandemisë, e deri te kultura e sporti.

 “Shqipëria, shtëpia që fiton”, ishte slogani i asaj dite, por rreth dy jave pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, që sipas KQZ-së kanë fituese Partinë Socialiste me 74 mandate, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkohen vetëm në një qëndrim, ende jo zyrtar; që nuk do ta njohin rezultatin.

Vendosën të mos ishin në një listë, (më saktë Monika Kryemadhi për shkak të oreksit të madh për 15 deputetë të sigurt).  

Fushatën e zhvilluan po të ndarë. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u shfaqën vetëm një herë në Kombinat në një mbrëmje terri, nën buzëqeshjesh të shtirura ndërsa pas tyre qëndronin kandidatët respektivë Belind Këlliçi dhe Briseida Shehaj kjo e fundit fort e qejfmbetur për mënyrën se si PD po bënte fushatë në atë zonë.

 Asnjë shenjë e LSI-së në mitingun hapës të PD-së në sheshin “Nënë Tereza”, po ashtu edhe në atë përmbyllës.

Këshilltarët izraelitë e kishin të qartë mesazhin për Bashën; Larg LSI-në dhe njerëzit e saj.

Kjo distancë e fushatës e reflektuar edhe në terren mes strukturash është kthyer në një hendek pas 25 prillit.

Asnjë takim nuk është zhvilluar deri më sot mes Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës.

Asnjë mesazh në adresë të njëri-tjetrit. Rrugët janë ndarë në heshtje.

PD u kthye në rezultatin e saj këto zgjedhje (59 mandate) duke “kaparuar” mjaftueshëm nga LSI që ia kishte marrë me gjithë format katër vjet më parë.

Rezultati i 25 prillit për LSI pati një të “mirë”. “Pajtoi” Kryemadhin me bashkëshortin president, pasi kryetarja e LSI i kërkoi falje publike për djegien e mandateve dhe mos marrjen pjese në zgjedhjet lokale dhe po përmes shfaqjesh  publike, Meta e pranoi ndjesën.

Ata u shfaqën në një foto të përqafuar buzë detit më shumë se për të treguar harmoni në ditëlindjen e djalit të tyre.

Kjo “besëlidhje” e re Meta-Kryemadhi, erdhi ne momentin që zërat ishin shtuar për një bashkëpunim Rama-Basha nga shtatori e mbrapa, edhe pse Kryetari i PD po kundërshton rezultatin e 25 prillit, por mandatet ka thënë se nuk i djeg më.

Ftohja Basha-Kryemadhi në fakt ka mbetur në hije për shkak se Rama ka fitoren e mandatit të tretë, Basha po “administron” humbjen pasi ka hallin brenda partisë, me kërkesa për dorëheqje dhe një mandat që i mbaron zyrtarisht në korrik. 

Në këtë “rrëmujë” brenda PD-së, PS ka nisur një betejë urgjente për shkarkimin e Ilir Metës, me një komision hetimor të  dytë, e vendosur që këtë proces ta mbyllë ky parlament.

Pas 25 prillit nuk kanë munguar as akuzat nga eksponentë të dy partive.

I pari ishte Mark Marku që hapi lojën nga PD dhe shigjetoi LSI-në. “Do të përgatisim dosje se si janë blerë vota shtëpi më shtëpi nga kandidatët e PS dhe LSI dhe ky është fakt”, tha Mark Marku, i zgjedhur deputet i PD në Lezhë.

Nga LSI u përgjigj kandidatja e Tiranës, Briseida Shehaj që akuzoi  Bashën se asnjëherë nuk ka menduar për opozitën, por vetëm për skenarët e vet... Gjithçka në rënie të lirë mes PD dhe LSI...Deri më tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë