Ne rrjet

Ç’përmban plani i paqes me 10 pika i Zelenskit: nga tërheqja e forcave ruse, te siguria bërthamore

Dhjetë pika: të njëjtat që iu njoftuan tashmë udhëheqësve të G7 në tetor (dhe të refuzuara nga Rusia). Grupet e punës janë janë në terren prej muajsh. Gjithashtu në tryezë janë marrëveshjet për grurin dhe hyrjen në "një formacion të madh euroatlantik".

Gazeta Si – Plani i paqes me dhjetë pika i vënë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga Zelenski të mërkurën në Nju Jork, nuk ka ndryshuar. Është e njëjta formulë e shpallur edhe para udhëheqësve të G7 në tetor 2022 dhe e refuzuar nga Rusia.

Por muajt e fundit – deklaroi presidenti ukrainas para Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit – janë mbajtur takime në nivel diplomatësh dhe këshilltarësh për sigurinë kombëtare të vendeve të ndryshme për të diskutuar pikë për pikë dhe se si është i mundur zbatimi i tyre.

Këto grupe pune për dhjetë pikat në fjalë, duhet të çojnë në po aq konferenca, tha dje lideri ukrainas. Qëllimi i tij do të ishte një samit i madh paqeje në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive ose të paktën me ministrat e Jashtëm.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit, presidenti ukrainas përmendi pikën 5 të planit, që ka të bëjë me “zbatimin e Kartës së OKB-së dhe kthimin në integritetin territorial të Ukrainës”, një aspekt për të cilin “nuk ka negociata”, siç lexohet në tekst; dhe pika 6, e cila parashikon “tërheqjen e të gjitha formacioneve të armatosura ruse nga territori ukrainas”, duke përfshirë “forcat mercenare”, përfshirë rivendosjen e kontrollit të vendit mbi kufijtë e tij të vendosur dhe të njohur ndërkombëtarisht në vitin 1991, pra edhe Krimenë.

Zelenski shpjegoi se pa këto dy pika nuk është e mundur të mendohet për një fund “të ndershëm dhe të qëndrueshëm” të konfliktit.

Katër pikat e para të planit u cituan në mënyrë të tërthortë nga Zelenski në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, ku ai akuzoi Rusinë për përdorimin e armëve të papërshtatshme:

1.Siguria bërthamore (dhe rrezatimi bërthamor), domethënë, duke i dhënë fund kërcënimit të paraqitur nga Termocentralet bërthamore si Zaporizhia që përdoren si armë.

2.Siguria ushqimore: eksporti i grurit ukrainas, bllokada e të cilit është destabilizuese për vendin, por edhe për ekonominë globale.

3.Siguria energjetike: përfundimi i sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

4.Lirimi i të burgosurve ushtarakë dhe civilë, përfshirë 20 mijë fëmijët e deportuar në Rusi (në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme Zelenski foli për gjenocid).

5.Zbatimi i Kartës së OKB-së dhe rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe rendit botëror.

6.Tërheqja e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive.

Pikat e tjera: Zelenski, megjithatë, nuk u fokusua te drejtësia, megjithëse vuri në dukje se “koha po kalon” (pika 7 e planit të paqes) dhe as në aspekte të tilla si dëmi mjedisor i shkaktuar nga pushtimi rus (pika 8) dhe “garancitë e sigurisë” të kërkuara me një arkitekturë të re euroatlantike që përfshin Ukrainën (pika 9).

Sa i takon pikës 10, ajo është konfirmimi i përfundimit të luftës: zbatimi i të gjitha masave të emërtuara kundër luftës, nuk mund dhe nuk duhet të zgjasë shumë.

Pasi të kenë pushuar armiqësitë dhe të rivendoset siguria dhe drejtësia, palët duhet të nënshkruajnë një dokument zyrtar që konfirmon përfundimin e luftës.

“Bashkëpunimi është çelësi”, tha presidenti ukrainas para Këshillit të Sigurimit mbrëmjen e shkuar. Kievi thotë se formula e tij për paqen është mirëpritur nga dhjetëra vende në mbarë botën, duke përfshirë 46 anëtarët e Këshillit të Evropës.

Një samit mbi planin e paqes u mbajt në Jeddah gushtin e kaluar, me pjesëmarrjen e 40 vendeve, “shumë prej të cilave shprehën angazhimin për të ndihmuar në zbatimin e dispozitave të planit”. Takimi i radhës në nivel të këshilltarëve të sigurisë kombëtare duhet të mbahet në tetor.

Kina ishte e pranishme në raundin e fundit, por Pekini nuk mori pjesë në mbledhjet e grupeve të punës kushtuar pikave individuale të planit, ndërsa vende të tilla si India, Brazili dhe Afrika e Jugut morën pjesë aktive.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë