Bota

Covid, Kina bllokon publikimin e të dhënave për valën e përhapjes së pandemisë

Gazeta Si – Në Kinë, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, i cili vepron si ministri, njoftoi pezullimin e publikimit të të dhënave ditore për rastet dhe vdekjet me Covid 19.

Nuk u dha asnjë shpjegim për vendimin. Për javë të tëra, statistikat nuk kanë pasqyruar më me besueshmëri valën e paprecedentë të infeksioneve që ka goditur vendin që nga braktisja më 7 dhjetor e masave të rrepta shëndetësore të politikës “Zero Covid”.

Me masat kufizuese në fuqi, testet pothuajse të detyrueshme PCR bënë të mundur ndjekjen e besueshme të ecurisë së epidemisë.

Tani, megjithatë, njerëzit e infektuar me virus testohen në shtëpi dhe rrallë i raportojnë rezultatet tek autoritetet.

Komisioni tha se Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), do të lëshojë informacion në lidhje me shpërthimin për qëllime referimi dhe kërkimi, por nuk specifikoi llojin ose shpeshtësinë e të dhënave që do të publikohen.

Në fakt, situata pandemike në Kinë vazhdon të shqetësojë botën. Sipas “Financial Times”, e cila raporton një vlerësim të brendshëm nga zyrtarët më të lartë shëndetësorë të vendit, gati 250 milionë njerëz në vend mund të jenë infektuar me Covid në 20 ditët e para të dhjetorit.

Nëse është i saktë, vlerësimi do të përfaqësonte shpërthimin më të madh të Covid deri më sot në nivel global.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë