Gazeta Si – Varianti “Eris” i Sars-CoV-2 (EG.5), konfirmohet si më i përhapuri në Europë dhe Botë, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme mbi monitorimin e Covid-19.
Raportet e fundit vërejnë “një mbizotërim të sekuencave që i atribuohen EG.5”, duke arritur në 34.2%. Dhe, sipas studimeve eksperimentale të fundit, ndër variantet, “Eris” do të ishte më rezistentja ndaj antitrupave. Çfarë do të thotë? A është “Eris” thjesht më ngjitës apo edhe më i rrezikshëm?
Çfarë është dhe pse ndodhet nën monitorim
“Eris” është pjesë e familjes së madhe “Omicron”, në veçanti është “vajza” e variantit “Omicron XBB”. Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e kishte klasifikuar atë si një “variant me interes” për t’u mbajtur nën vëzhgim edhe nëse e kishte vlerësuar rrezikun për shëndetin publik si “të ulët”.
Studimet e fundit eksperimentale tregojnë se është një variant që është më rezistent ndaj antitrupave, d.m.th. i aftë për t’i shpëtuar, më shumë se variantet e tjera, mbrojtjet e krijuara, si nga infeksionet e mëparshme ashtu edhe nga vaksinimi, për shkak të një mutacioni të veçantë, F456L, i cili ndodhet në nivelin e proteinave “Spike” të virusit.
Simptomat e “Eris”-it
Si shfaqet “Eris”? Pacientët që kontraktojnë infeksionin paraqesin simptoma të ngjashme me ato të nënvarianteve të mëparshme të “Omicron”, pra kryesisht çrregullime të traktit të sipërm respirator, si p.sh.
dhimbje të fytit,
kollë e thatë,
kongjestion ose rrjedhje e hundës,
dhimbje koke,
ndjenja e lodhjes,
dhimbje të muskujve dhe kyçeve.
Vaksinat e përshtatura, efektive kundër “Eris”-it
Si të mbrohemi nga varianti “Eris”? Megjithëse të dhënat e marra eksperimentalisht kanë treguar se mutacioni F456L (i cili karakterizon profilin e proteinës së majës së EG.5) është në gjendje të zvogëlojë lidhjen me antitrupat neutralizues kundër XBB.1.5, të dhënat e disponueshme deri më sot tregojnë se vaksinat e reja të formuluara, të bazuara në XBB.1.5, gjithashtu paraqesin një përgjigje të mirë kundër EG.5.1.
Vaksinat e adaptuara të miratuara nga Bashkimi Evropian – të cilat gjithashtu do të jenë të disponueshme në Europë që nga tetori – mbrojnë gjithashtu kundër shtameve qarkulluese, përfshirë “Erisin”, sqaroi së fundmi Emer Cooke, drejtor i EMA-s, Agjencia Evropiane e Barnave, i cili ka shtuar: “Pandemia ka përfunduar, por virusi është ende një kërcënim për ata që janë në rrezik, prandaj personat mbi 65 vjeç, ata me kushte të pasigurta shëndetësore dhe gratë shtatzëna. duhet të vaksinohen”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




