Nga Gazeta Si – Pas 3 vitesh nga fillimi i pandemisë së Covid-19, sërish në vendin tonë konstatohen raste të reja por nga ana tjetër shqetësuese po bëhet zgjatja e sëmundjes, ose siç njihet ndryshe Covid i zgjatur.
Mjekja e përgjithshme në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Mirela Dhamo thotë për Gazetasi.al se zakonisht Covid-19, i lehtë apo i moderuar, zgjat rreth dy javë për shumicën e njerëzve.
Por në disa të tjerë, efektet afatgjata të Covid-19 mund të shkaktojnë probleme të vazhdueshme shëndetësore dhe të zgjasin për muaj të tërë.
E pyetur nga Gazetasi.al, mjekja Dhamo thotë se shumë pacientë që paraqiten në ambulancë me simptomat e Covid përjetojnë probleme të vazhdueshme shëndetësore, edhe pasi ethet dhe kolla largohen dhe ata nuk janë më pozitivë për sëmundjen.

Dhamo thotë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjendja post-Covid ka të bëjë me simptoma të koronavirusit që vazhdojnë ose kthehen tre muaj pasi një person sëmuret nga infeksioni me SARS CoV-2.
Sipas saj, këto simptoma mund të përfshijnë lodhje, vështirësi në frymëmarrje apo probleme njohëse (të menduarit dhe kujtesa).
“Simptomat mund të vijnë dhe të shkojnë, por kanë një ndikim në funksionimin e përditshëm të personit dhe nuk mund të shpjegohen me një problem tjetër shëndetësor”, thotë mjekja Dhamo.
Por çfarë e shkakton sindromën post-Covid?
Sipas mjekes së përgjithshme Dhamo, pacientët me faktorë të caktuar rreziku (përfshirë presionin e lartë të gjakut, duhanin, diabetin, obezitetin dhe kushte të tjera) kanë më shumë gjasa të kenë një periudhë të gjatë serioze me Covid-19. Por nga ana tjetër, nuk ka një lidhje të qartë midis këtyre faktorëve të rrezikut dhe problemeve afatgjata.
“Në fakt, Covid-i i gjatë mund të ndodhë te njerëzit që kanë simptoma të lehta, megjithëse pacientët me sëmundje fillestare më të rëndë duket se kanë më shumë gjasa të kenë dëmtime afatgjata”, thotë mjekja Dhamo për Gazetasi.al.
E pyetur se çfarë i shkakton simptomat, mjekja Dhamo thotë se SARS-CoV-2 mund të sulmojë trupin në një sërë mënyrash, duke shkaktuar dëmtim të mushkërive, zemrës, sistemit nervor, veshkave, mëlçisë dhe organeve të tjera. Problemet e shëndetit mendor mund të lindin nga trishtimi dhe humbja, dhimbja ose lodhja, ose nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) pas trajtimit në njësinë e kujdesit intensiv (ICU).
“Problemet e vazhdueshme mund të prekin pacientët me sëmundje të tjera serioze. Por është e dukshme që sindroma post-Covid-19 nuk po prek vetëm njerëzit që ishin shumë të sëmurë me koronavirus. Disa pacientë që nuk ishin kurrë të sëmurë rëndë me Covid-19 po përjetojnë simptoma afatgjata”, thotë mjekja.
Në lidhje me parandalimin e sindromës post-Covid, mjekja Dhamo thotë se vaksinimi për Covid-19 ul rrezikun e infektimit.
“Ndërsa infeksionet e reja janë të mundshme, të qenit plotësisht i vaksinuar është efektiv në reduktimin e rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekjes për shkak të Covid. Hulumtimet janë duke vazhduar rreth asaj se sa kohë Covid prek njerëzit, por ka të ngjarë që vaksinimi të zvogëlojë rrezikun”, thotë ajo.
Sipas studimeve më të fundit shkencore, është konstatuar se pas infektimit nga Covid, pacientët shfaqin probleme me frymëmarrjen.
Mjekja Dhamo thotë se rikuperimi i mushkërive pas Covid-19 është i mundur, por mund të duhen muaj që funksioni i mushkërive të një personi të kthehet në nivelet e para-Covid-19.
“Long Covid shkakton dhe probleme me zemrën, duke përfshirë inflamacionin e muskujve të zemrës, dëmtime të veshkave, humbjen e shijes dhe erës, probleme neurologjike etj”, thotë ajo.
A mund të rrisë Covid-19 rrezikun e një personi për ankth, depresion dhe probleme njohëse?
Një studim i ndikimit të Covid-19 në mirëqenien mendore dhe emocionale i kryer nga ekspertë të “Johns Hopkins” në psikiatri, njohje (të menduarit, arsyetimin dhe të kujtuarit) dhe shëndetin mendor zbuloi se këto probleme ishin të zakonshme midis një kampioni të larmishëm të të mbijetuarve të Covid-19.
Dëmtimi njohës pas infeksionit akut me koronavirus mund të ketë një ndikim të rëndë në jetën e një personi. Pacientët me Long Covid mund të pësojnë ndryshime në mënyrën se si mendojnë, përqendrohen, flasin dhe mbajnë mend dhe këto simptoma mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për të punuar apo edhe për të mbajtur aktivitetet e jetës së përditshme.
Ekspertët thonë se pas shërimit nga koronavirusi, disa njerëz mbeten me ankth të vazhdueshëm, depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor post-Covid. Ndryshimet fizike si dhimbja dhe dobësia mund të ndërlikohen nga periudha të gjata izolimi, stresi nga humbja e punës dhe vështirësitë financiare dhe pikëllimi nga vdekja e njerëzve të dashur.
Sindroma e takikardisë ortostatike posturale, ose POTS, është një gjendje që ndikon në qarkullimin e gjakut dhe njerëzit që i kanë mbijetuar Covid-19 mund të jenë më të prekshëm ndaj tij.
Marrëdhënia midis Covid-19 dhe diabetit, veçanërisht diabeti i tipit 2, është kompleks. Diabeti i tipit 2 është një faktor rreziku për rastet serioze të Covid-19 dhe disa të mbijetuar të sëmundjes duket se po zhvillojnë shenja të diabetit të tipit 2 pasi të shërohen nga COVID-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




