Futboll

Covid-i nuk e ndal Premier Ligën, në fushë edhe gjatë festave të fundvitit

Premier Liga ka vendosur të mos e ndalë programin e ndeshjeve për festat e fundvitit, pavarësisht shtimit të ndjeshëm të rasteve të Covid-19 në Angli dhe mes futbollistëve.

Në një videokonferencë, pronarët e klubeve kanë diskutuar për mundësinë e shtyrjes së javës që luhet gjatë festave të fundvitit, pasi disa skuadra janë kthyer në vatra infeksioni të Koronavirusit, duke bërë që disa ndeshje të anulohen.

Nga nje ndeshje mes Liverpulit dhe Totenhemit. Gazeta Si, 21 dhjetor 2021

Disa skuadra, mes të cilave Liverpuli dhe Arsenali, sipas “The Athletic”, kanë sugjeruar spostimin e ndeshjeve të programuara nga 28 deri në 30 dhjetor, por pjesa më e madhe e klubeve janë shprehur se mund të jetë një strategji e rrezikshme dhe kanë preferuar vazhdimin e ndeshjeve. Një shtyrje e mundshme do të kishte kosto ekonomike shumë të lartë për Premier Ligën dhe shumë probleme organizative për skuadrat që kanë disa ndeshje të shtyra.

Do të luhet rregullisht më 26 dhjetor, “Boxing Day”, ndeshjet e fundit të fazës së parë, pastaj, më 28 deri më 30 dhjetor dhe më 1 deri më 3 janar luhen dy ndeshjet e para të fazës së dytë. Më pas do të nisë pauza prej dy javësh e parashikuar në kalendar. Premier Liga u ka bërë të qartë klubeve se mund të përdorin lojtarët të U-21-shit për të mbuluar mungesat e shkaktuara nga Covid-i apo dëmtimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë