Ka ndodhur

Covid-i “mbyll” Ambasadën Gjermane në Tiranë

Ambasada Gjermane në Tiranë e vlerëson me rrezikshmëri të lartë situatën e përhapjes së Covid-19 në Shqipëri dhe për këtë arsye ka vendosur ndërprerjen e shërbimit të vizave dhe pasaportave.

Vendimi është shpërndarë në faqen zyrtare dhe përmes rrjeteve sociale nga vetë kjo ambasadë, që sqaron se ai hyn në fuqi menjëherë si formë parandaluese.

“Prejt ditës së sotme, 18.11.2020, nisur nga gjendja aktuale Zyra e Vizave dhe e Pasaportave të Ambasadës Gjermane në Tiranë është e mbyllur për arsye parandaluese”, thuhet në njoftim.

Ambasada sqaron se personat e prekur nga kjo masë do të njoftohen për një datë të re aplikimi në një vendim të dytë.

“Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Faceboouk-ut sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj”, vijon njoftimi.

Për rastet urgjente konsullore, Ambasada thotë se mund të kontaktohet përmes numrit të shërbimit të gatshëm, duke shpjeguar se ky numër nuk do të shërbejë për dhënie informacioni për datat e reja të aplikimit, apo procedurave për vizë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë