Ana e errët

‘Covid-19, ushtar i Allahut…’ Shpartallohet celula terroriste shqiptare në Itali, financonin imamin e dënuar në Tiranë

Gazeta Si – Covid-19 u përkufizua si “një ushtar i vogël i Allahut, i dërguar në tokë për të ndëshkuar jobesimtarët perëndimorë”, ndërsa Ukraina, ishte një tokë nga e cila “duhej marrë gaz”. Në bisedat e tyre kishte referenca të vazhdueshme në lidhje me aktualitetin…

Katër shqiptarë, të cilët banonin prej vitesh në Itali, janë arrestuar nga policia në provincat e Barit dhe Cuneos, me akuzën e terrorizmit ndërkombëtar.

Hetimet e Prokurorisë së Barit, kanë çuar në identifikimin e një celule terroriste të pranishme në Itali dhe shumë të rrezikshme.

Hetimet

Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, ata dyshohet se kanë mbledhur dhe dërguar para në formën e bamirësisë për të financuar aktivitetin terrorist të imamit të xhamisë “Xhamia e Letrës” në Kavajë, Genci Abdurrahim Balla, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me organizatën terroriste ISIS.

Ai u dënua nga drejtësia shqiptare në nëntor 2016 me 17 vjet burg për akuzën e rekrutimit të dhjetëra luftëtarëve të dërguar në Siri.

Mes të tjerash, “Corriere”, raporton se katër shtetasit shqiptarë janë me banim në zonën e Barit, rajoni i Puljias.

Prokurorët e Barit dhe grupi hetimor gjatë konferencës për mediat

Emrat dhe roli i shqiptrëve

Në arrest shtëpie, kanë përfunduar Yljan Muça, 31 vjeç, Roland Lleshi, 37 vjeç, Elsio Ramku, 33 vjeç dhe Roland Belba, 37 vjeç, banues në Bari, Adelfia dhe Rutigliano.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Barit, Muça do të ishte promotori i nismës së grumbullimit të parave, Lleshi dhe Ramku kishin rolin e ndërmjetësit dhe Belba, kunati i Muçës, në bashkëpunim me dy persona të tjerë në Shqipëri, do t’i kalonte materialisht paratë përmes kanaleve të pa gjurmueshme.

Në një rast të dërgimit të parave, pala italiane thotë se ato ishin futur në një qese të fshehura në një kamion në bordin e një trageti që do të mbërrinte në Shqipëri.

Gjatë dy viteve të fundit, udhëtimet e shqiptarëve janë dokumentuar çdo dy muaj. Faktet e mbledhura datojnë në periudhën midis majit dhe korrikut 2020.

Yljan Muça akuzohet gjithashtu për veprën e penale të nxitjes së terrorizmit për shpërndarjen përmes një bisede në Whatsapp (në të cilin kishte nisur mbledhjen e parave), për linkun e një videoje, për arrestimin e 40 të dyshuarve të lidhur me ISIS-in, “me fotot e disa imamëve, përfshirë Genci Abdurrahim Ballën – lexohet në dosjen hetimore, – me pasojë riformulimin dhe ekzaltimin e sjelljes së tyre dhe të arsyeve për ndalimin e tyre, duke mbajtur qëndrim ndaj aksionit policor”.

Pamje nga operacioni policor për arrestimin e 4 shqiptarëve

Covid 19,  “ushtar i vogël i Allahut”

Katër të arrestuarit, sipas raportit të policisë që i referohet “Corriere”, do të kishin nxjerrë në pah, gjatë hetimeve, një vërtetim fetar radikal, sipas të cilit, edhe Covid 19, në përputhje të përsosur me disa teori xhihadiste, duhej të konsiderohej “një ushtar i vogël i Allahut”, i dërguar në Tokë për të ndëshkuar mosbesimin e perëndimorëve.

Përgjimet: Perëndimi kërkon gaz nga Ukraina

“Ka shumë biseda në të cilat analizohen ngjarjet ndërkombëtare. Është një që ka goditur veçanërisht në korrik 2020, sepse, pas një farë kohe, leximi i sotëm ka një efekt të caktuar: flasim për Ballkanin dhe Ukrainën, në një vizion të kundërshtimit ekstrem mes Perëndimit dhe Lindjes”, tha zëvendës-prokurori i Barit, Francesco Giannella para mediave.

“Flitet për një përvetësim të Ukrainës nga perëndimorë, – shpjegoi Giannella, – që synon përvetësimin e gazit ukrainas. Nuk shërben për të bërë një lexim të aktualitetit, kjo është e qartë, por na bën të kuptojmë se cili është nënkuptimi kulturor dhe bindshëm që gjarpëron në mjedise të caktuara, të cilat çdo ngjarje ndërkombëtare, e shohin si një ngjarje të kontrastit ekstrem mes Perëndimit dhe Lindjes”.

Policia italiane gjatë operacionit

Një jetë normale në Itali

Të dyshuarit kishin një jetë në dukje normale: të integruar mirë në qytet, njëri prej tyre kishte marrë nënshtetësinë italiane dhe punonte në sektorin e agrikulturës.

Hetimet u kryen duke përdorur teknikat më moderne të monitorimit të internetit dhe bënë të mundur zbulimin se në bisedën e dyshuar video dhe audio të propagandës pro-xhihadiste, shpërndaheshin me përkthim nga arabishtja në shqip.

Ndër dokumentet e dosjes, ishin edhe komunikata e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr Al Baghdadi dhe pasardhësi i tij, Ebu Ibrahim El Hashini El Kureshi, të dy të vrarë nga forcat amerikane në Siri dhe Irak.

Genci Balla, i dënuar në vitin 2016 nga drejtësia shqiptare si pjesë e grupit të xhihadistëve për rekrutimin e disa personave në Siri

Kush është Genci Balla?

Genci Balla është dënuar me 17 vite burg në vitin 2016, si pjesë e grupit të xhihadistëve për rekrutimin e disa personave dhe për dërgimin e tyre në Siri.

Në 3 maj 2016, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, dënoi një grup prej nëntë personash me 126 vite burg gjithsej, ku bënte pjesë edhe Genci Balla e Bujar Hysa.

Të pandehurit e tjerë, Edmond Balla, Orion Reçi, Zeqir Imeri, Astrit Tola, Fadil Muslimani dhe Verdi Morava u shërbenin dy imamëve, si në gjetjen e ushtarëve të gatshëm për luftën e Allahut, ashtu edhe në mbajtjen e kontakteve mes tyre dhe Genci Ballës.

Balla, imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re në Tiranë, ndodhet prej muajsh në regjimin e ashpër “41 Bis” në burg.

“Gjatë predikimeve të Genci Ballës, sidomos në faljet e të premtes, ai u mbushte mendjen besimtarëve se lufta në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë”, – thuhej në dosjen e Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë