Analize

Covid-19 u duk se ishte nën kontroll në Europë. Tani është tërbuar përsëri

Rastet pozitive me koronavirus po rriten përsëri në pjesën më të madhe të Europës dhe qeveritë po “garojnë” për të parandaluar një valë të dytë të pandemisë.
Shtatë ditët e fundit rastet e raportuara janë sa dyfishi i fund korrikut në pesë vendet më të mëdha europiane dhe ky është numri më i madh i rasteve që kur u raportuan rastet e para në mars dhe prill.
Vatra ka kudo, duke filluar nga plazhet dhe vendet e pushimeve, qendrat tregtare, festave dhe vendeve të punës dhe sipas autoriteteve, shumë rasteve nuk i’u dihen kontaktet, çka e bën më të vështirë gjurmimin dhe kontrollimin e situatës.
Si përgjigje, qeveritë po i mëshojnë kërkesave për të vendosur maska dhe duke urdhëruar që klubet e natës të mbyllen përsëri, duke kufizuar grupimet dhe duke detyruar disa udhëtarë të karantinohen.
Problemi është veçanërisht i madh në Spanjë, ku rreth 4800 raste të reja në ditë janë zbuluar gjatë javës së kaluar, më shumë se në çdo ditë që nga prilli. Në Francë, rastet ditore të koronavirusit janë rritur rreth 50% këtë javë në krahasim me javën e kaluar mesatarisht rreth 2400 raste në ditë, duke arritur nivelet e tyre më të larta që kur vendi doli nga izolimi në maj.

Këshilltari epidemiologjik i Gjermanisë, Instituti Robert Koch të Mërkurën raportoi 1510 raste të reja për të martën, numri më i lartë që nga fillimi i majit dhe një kërcim i madh në krahasim me uljet e rreth 300 rasteve të reja në qershor. Instituti thotë se rritja është rezultat i infeksioneve që ndodhin në të gjithë vendin, jo në grupet e njerëzve që janë të izoluar.

Edhe pse në rritje, nivelet e infeksionit mbeten shumë më të ulëta në Europë sesa në pjesën më të madhe të Amerikës. Mesatarja e shtatë ditëve e rasteve të reja në Amerikë po shkon me gati 150 raste për 1 milion njerëz, rreth pesë herë më shumë se numri në të gjithë Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë dhe Mretërisë së Bashkuar. Shifrat amerikane janë edhe më shumë sesa në Spanjë, vendi më i goditur i Europës, e cila ka mesatarisht 110 raste ditore për milion njerëz gjatë javës së kaluar.
Gjithsesi, rastet e reja nuk kanë ndikuar në rritjen e të shtruarve pasi pjesa më e madhe e të infektuarve janë të rinj dhe kanë simptoma më të buta që mund të kurohen në shtëpi.
Megjithatë, disa spitale në Spanjë tashmë janë duke u përgatitur për një rritje të pacientëve. Autoritetet spanjolle kanë thënë se grupimet shoqërore në klubet e natës, midis familjes dhe miqve janë burimi kryesor i infeksionit. Ndërsa në Francë, vendet e punës dhe spitalet kanë qenë vendet kryesore për përhapjen e virusit.
Në Gjermani dhe Itali, zyrtarët kanë identifikuar udhëtarët që kthehen nga jashtë, veçanërisht nga vendet me rrezik më të lartë si Spanja dhe Ballkani, si një burim kryesor i infeksioneve të reja. Gjermania ka dhënë teste të detyrueshme për njerëzit që kthehen në shtëpi nga zonat me rrezik të lartë ndërsa Amerika kërkon që të gjithë vizitorët ose udhëtarët që kthehen nga vendet me infeksione në rritje, përfshirë Francën dhe Spanjën, të vetë-karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes.
“Ne jemi në fillim të një vale të dytë dhe duhet të tërhiqemi përsëri përndryshe do të kemi një problem këtë vjeshtë dhe do të detyrohemi të izolohemi përsëri.” thotë Karl Lauterbach, një epidemiolog gjerman.

Ndërkohë, autoritetet italiane të dielën urdhëruan mbylljen e klubeve të natës dhe bënë të detyrueshme vendosjen e maskës pas orës 18:00 në ambiente ku mund të ketë grumbullime. Javën e kaluar, Italia njoftoi se udhëtarët që kanë qenë në vendet europiane që konsiderohen me rrezik të lartë, u kërkohet të bëjnë tamponin menjëherë para ose pas mbërritjes. Të njejtë gjë ka bërë dhe qeveria Spanjolle.

Në zonat me rritje të rasteve, autoritetet greke vendosën një kufi prej 50 personash në grupimet shoqërore dhe urdhëruan baret dhe restorantet të mbyllen në mesnatë. Rregullat e reja, të cilat hynë në fuqi të hënën, vlejnë për pjesët me rrezik të lartë të vendit, përfshirë Athinën dhe ishujt e Kretës, Mykonos dhe Santorini.
Në Francë, ku vendet e punës janë shfaqur si një burim i përhapjes së virusit, masat e reja janë përqendruar pikërisht aty.
Autoritetet po u kërkojnë bizneseve që punonjësit të punojnë nga shtëpia, kudo që të jetë e mundur, për të zvogëluar grupimet në zyra dhe transportin publik.
Duke përmendur prova të reja mbi rrezikun e transmetimit nga ajri të virusit në ambiente të mbyllura, zyrtarët thanë gjithashtu se duke filluar nga 1 shtatori, njerëzve në punë do t’u kërkohet të mbajnë maska në hapësira të zakonshme, siç janë zyrat, dhomat e konferencave dhe katet e fabrikës.
Autoritetet gjithashtu kanë qenë të shqetësuar për të rinjtë që mblidheshin në natyrë. Fundjavën e kaluar, qindra të rinj u mblodhën në Boutigny-sur-Essonne, një qytet 30 milje në jug të Parisit, për një aheng në ambient të hapur.
Në Gjermani, zyrtarët këtë javë fajësuan si udhëtimet ashtu dhe grupimet shoqërore, duke filluar nga ahengjet në grupime familjare dhe dasmat, për shkaktimin e rasteve në të gjithë vendin.
“Infeksionet janë dyfishuar në të gjithë Gjermaninë gjatë tre javëve të fundit dhe ky është një zhvillim që nuk duhet të vazhdojë, që ne duhet ta ndalim.”u tha kancelarja gjermane Angela Merkel gazetarëve.
Rregullat mbi ngjarjet aktualisht ndryshojnë shumë, me disa shtete që ende kufizojnë grupimet e njerëzve të familjeve të ndryshme në 10 ose 20 persona ndërsa shtetet e tjera lejojnë grupime në ambiente të jashtme deri në 1000 pjesëmarrës.
Angela Merkel tha që autoritetet duhet të përqëndrohen në zbatimin e masave ekzistuese përpara se të shtonin kufizime të reja dhe i bëri thirrjepopullit që të ndjekë rregullat për të vendosur maska.
Merkel dhe Jehn Spahn, ministri i shëndetësisë thanë se prioriteti tani duhet t’i jepet vendeve të punës, shkollave dhe kopshteve.
“Ne si shoqëri dhe secili individ duhet të renditim atë që është më e rëndësishmja tani. Shkollat, kopshtet dhe biznesi kanë përparësi.” tha Spahn.

Burimi:WallStreetJournal\Përktheu:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë