Bota

Covid-19 po “zhduk” disa fshatra nga harta e Italisë

Kur kryetari i bashkisë së Roccafiorita mori një telefonatë në tetor duke e informuar atë se një punonjës në zyrën e tij kishte rezultuar pozitiv për Covid-19, ai u shqetësua shumë. I vendosur mes pyjeve në rrëzë të malit Kalfa, Roccafiorita është fshati më i vogël në Italinë e Jugut. Mosha mesatare e 187 banorëve të tij është mbi 60 vjeç. Nëse Covid do të përhapet në këtë popullatë të vogël, fshati mund të zhduket.
“Kur mora këtë lajm, ishte sikur ra rruge në një ditë me diell. Me ketë valë të dytë që po përjeton vendi mendova menjëherë që mund të fshiheshim nga harta,” tha Concetto Orlando, kryetari i bashkisë.
Javën e kaluar, qeveria italiane deklaroi se vendi do të izolohej pjesërisht për të luftuar përhapjen e koronavirusit, pas një mesatare prej mbi 30,000 rastesh të reja në ditë. Vëmendja më e madhe është drejtuar drejt qyteteve të mëdha si Milano dhe Napoli, por në të gjithë vendin mijëra fshatra të vegjël po luftojnë për të mbijetuar.
Nga 8,000 fshatra dhe qyteza të Italisë, pothuajse 70% kanë më pak se 5,000 banorë. Dy mijë kanë më pak se 1.000 banorë dhe në disa vende lindja e një fëmije është aq e rrallë sa bien kambanat e fshatit për të festuar këtë lajm. Dhjetëra prej këtyre fshatrave janë shpallur “zona të kuqe” për shkak të koronavirusit që do të thotë se rreziku i infektimit të të gjithë popullatës është shumë i lartë.
“Shkretëtirëzimi demografik tashmë kishte prekur këto qytete para Covidit. Këto janë fshatra të vegjël që tashmë ishin destinuar të ktheheshin në vende fantazmë brenda disa viteve, ku niveli i lindjeve është 30 herë më i ulët se niveli i vdekjeve. Tani Covid rrezikon të përshpejtojë shkatërrimin e tyre,” tha Mario Alvano, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Komunave Italiane në Siçili.


Salvatore Occhino, i lindur dhe rritur në Roccafiorita, mund të mos e ketë imagjinuar kurrë se pas luftës së dytë botërore do të përjetonte një përvojë tjetër tmerruese, këtë herë në formën e një pandemie. Occhino është një monument i gjallë në qytet, jo vetëm sepse në moshën 93 vjeç është personi më i vjetër në këtë vend, por mbi të gjitha sepse pavarësisht moshës, ai vazhdon të kujdeset për tokat e tij.
“Jam i shqetësuar. Nëse Covid godet fort, nuk do të mbetet askush në Roccafiorita. Zemra ime bërtet kur mendoj të gjitha sakrificat që kemi bërë për ta mbajtur gjallë këtë fshat. Tani ne jemi në duart e Zotit,” tha ai.

Në të paktën katër rajone, Covid-19 ka goditur fshatra të vegjël, duke përfshirë Galati Mamertino në Siçili, e cila u përcaktua si zonë e kuqe në 1 nëntor pasi 157 nga 2,400 banorët e tij ishin pozitivë. Ekspertët janë dakord që shpërthimet e këtij lloji janë rezultat i afërsisë mes banorëve të qytetit, gjë që është tipike për jetën shoqërore në këto zona.
“Në fshatra të vegjël, marrëdhëniet midis të afërmve dhe miqve janë intensive. Këtu përshtypja se një mik apo i afërm mund të na infektojë është shumë më e ulët se në qytetet e mëdha. Shpesh besohet se vendndodhja e izoluar e këtyre fshatrave është në vetvete një formë e mbrojtjes kundër transmetimit dhe se problemi është një problem urban. Kjo është arsyeja pse kur ndodh një shpërthim në këto qytete, transmetimi përhapet më shumë,” tha Tullio Prestileo, një mjek i sëmundjeve infektive në spitalin Benfratelli në Palermo.

Pas luftës së dytë botërore, Roccafiorita filloi një prirje të shpopullimit ndërsa shumë prej banorëve të saj u larguan për në SHBA në kërkim të punësimit. Në vitin 2020, vdiqën tre persona dhe lindi një fëmijë në Roccafiorita.
Fenomeni nuk është i kufizuar në zonat rurale, lindjet në të gjithë vendin janë në nivelin më të ulët historik që nga krijimi i Italisë si shtet. Për herë të parë në 90 vjet, popullsia italiane (duke përjashtuar popullsinë e huaj) ka rënë në rreth 55 milion, sipas agjencisë kombëtare të statistikave. Globalisht, Italia renditet pas Japonisë në përqindjen e njerëzve të moshuar në mesin e popullatës së përgjithshme. Rezultati ka qenë një rritje e numrit të fshatrave fantazmë, ku shumica e shtëpive janë braktisur. Në Roccafiorita, 40% e shtëpive janë të pabanuara. Gjatë viteve, në një përpjekje për të ringjallur këto qytete të vogla, kryetarët e bashkive kanë miratuar strategji të ndryshme. Disa fshatra u kanë hapur dyert e shtëpive të lira azilkërkuesve. Të tjerët praktikisht po i dhurojnë shtëpi të braktisura kujtdo që dëshiron të vendoset.

Vitin e kaluar, kryetari i bashkisë së Sambuca një vend me 5,000 banorë mori më shumë se 94,000 email nga e gjithë bota pasi njoftoi publikisht shitjen e shtëpive të braktisura për 1 €. Sambuca, në provincën e Agrigento, sapo është shpallur një “zonë e kuqe”, pasi një infektim shkaktoi 130 raste pozitive dhe tetë vdekje.
“Shitja e shtëpive tona për 1 € ishte një gjest simbolik për t’i sjellë njerëzit përsëri në Sambuca, sepse fshatrat bëhen nga njerëz, jo shtëpi. Më besoni, humbja e një personi në një vend të vogël me të moshuar ndihet më thellë këtu sesa në qytete”, tha nënkryetari i Komunës, Giuseppe Cacioppo.
Më 4 nëntor, Siçilinë u cilësua si një “zonë portokalli”, me rrezik të lartë, kryesisht për shkak të mungesës së pajisjeve shëndetësore dhe shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv. Fshatrat e vogla kanë paguar çmimin më të lartë për uljen e kostove në sistemin shëndetësor në jug, ku më shumë se 40 spitale janë mbyllur në vitet e fundit. Nga perspektiva e fshatit, drita në fund të tunelit duket shumë larg. Banorët e moshuar të fshatit shpresojnë për një vaksinë. Por Salvatore Occhino e di që një dimër i gjatë dhe i mundimshëm i pret.
Burimi:The Guardian/Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë