Zyrtarët e shëndetësisë thonë se ndërsa më e keqja e pandemisë Covid-19 mund të jetë lënë pas, SARS-CoV-2 është ende një kërcënim dhe mund të jetë një sëmundje me të cilën duhet të mësojmë të jetojmë, ashtu siç kemi gripin dhe sëmundje të tjera ngjitëse.
Për shkak se pjesa më e madhe e botës është e vaksinuar, e infektuar ose të dyja bashkë, ne jemi shumë më të mbrojtur kundër sëmundjes, në krahasim me vitin 2019 kur virusi u shfaq për herë të parë. Por për sa kohë që virusi vazhdon të përhapet, ekziston mundësia që ai të ndryshojë, duke shmangur vaksinat, trajtimet dhe imunitetin në të gjithë popullsinë dhe mund të shkaktojë një valë tjetër sëmundjesh dhe vdekjesh.
Dhe mutacionet mund të ndodhin edhe tek popullatat e kafshëve, jo vetëm tek njerëzit. Në një punim të botuar në Nature Communications, studiuesit e udhëhequr nga Andrew Bowman, profesor në Universitetin Shtetëror të Ohajos, studiuan virusin në popullatat e drerit në Ohio. Ndërsa studimet e mëparshme kanë dokumentuar virusin në popullatat e drerëve, Bowman dhe ekipi i tij u përqendruan në ndryshime gjenetike më të grimcuara në gjenomin viral në kafshët e infektuara dhe zbuluan se SARS-CoV-2 evoluon, që do të thotë se ai zhvillon ndryshime në kodin e tij gjenetik, tre herë më shpejt se tek njerëzit.
Të kuptuarit se si virusi po ndryshon në popullatat e drerëve është i rëndësishëm për shëndetin e njeriut, thotë Bowman, sepse bazuar në kohën e infeksioneve dhe ndryshimit gjenetik të virusit në mostrat e drerit dhe njerëzve, ka të ngjarë që dreri të infektohet nga njerëzit. Dhe nëse është kështu, atëherë është e mundur që dreri gjithashtu mund ta kalojë virusin përsëri te njerëzit. Nëse SARS-CoV-2 po evoluon me shpejtësi te dreri, kjo mund të nënkuptojë gjithashtu se virusi që dreri ua kalon njerëzve mund të jetë një kërcënim më i madh për shëndetin e njeriut.
Në studim, ekipi shikoi një numër relativisht të vogël drerësh dhe zbuloi 30 raste që SARS-CoV-2 me gjasë kaloi nga njerëzit te dreri. ndërkohë është e paqartë se si drerët po infektohen.
Analiza e Bowman tregoi se dreri mund të mbajë SARS-CoV-2 për gjashtë deri në nëntë muaj, gjë që mund të shpjegojë se si përhapet nga kafsha në kafshë dhe një fakt tjetër i rëndësishëm që zbuluan ekspertët është se dreri krijon mutacione të reja të Covid-19.
Tani për tani, duket se virusi nga dreri nuk ka evoluar për t’u bërë më i rrezikshëm për njerëzit.
Por zgjidhja e disa prej mistereve se si drerët infektohen dhe çfarë po bën virusi në atë popullatë të kafshëve, do të jetë e rëndësishme për mbrojtjen afatgjatë të shëndetit të njeriut.
“Është shqetësuese nëse virusi po vazhdon të evoluojë larg asaj që po qarkullon te njerëzit tani, dhe kjo mund të bëjë që përfundimisht imuniteti njerëzor të mos jetë mbrojtës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




