Gazeta Si – Të gjithë sytë janë te Kina, por ajo që shqetëson ekspertët që kanë tre vjet që studiojnë pandeminë Covid 19, është mbi të gjitha një nënvariant i ri që vjen nga Shtetet e Bashkuara, i pagëzuar me emrin “Kraken”, sipas përbindëshit legjendar të detit me tiparet e një kallamari gjigant, “kushëri” i “Gryphon”-it të njohur tashmë.
Sipas të dhënave nga Qendrat për Sëmundje nga Parandalim (CDC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rastet e Covid-19 janë dyfishuar në javën e fundit dhe sot më shumë se 40% e infeksioneve janë për shkak të “Kraken”, i cili zyrtarisht quhet XBB.1.5: vetëm një muaj më parë nënvarianti i ri ishte 4%, ndërsa sot, në veri-lindje të vendit, përfaqëson 75% të rasteve.
Vetëm në Nju Jork, “Kraken” është rritur më shumë se 140% në një muaj. Përhapja e tij është galopante dhe në pak javë ka pasur rritjen më të shpejtë të një nënvarianti që nga Omicron 1.
“Ne nuk kemi parë një variant që të ngrihet me këtë shpejtësi për disa muaj”, – tha për Cnn, Pavitra Roychoudhury, drejtore e renditjes së Covid-19 në Laboratorin e Virologjisë të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit.
Epidemiologu amerikan Eric-Feigl-Ding theksoi në Twitter se “varianti i ri është më imuno-evaziv dhe më infektiv se të mëparshmit”.
Eric Topol, drejtor i “Scripps Research Translational Institute” të Kalifornisë, theksoi gjithashtu se “XBB.1.5 ka fituar një mutacion të dyfishtë kritik që mban imunitetin e tij të lartë dhe rrit infektivitetin”.
Tim Spector, profesor i gjenetikës epidemike në “King’s College” në Londër, dyshon se “XBB.1.5 mund të jetë varianti i ri për t’u kujdesur në 2023”.
Sipas bazës së të dhënave “GISAID”, në të cilën shkencëtarë nga e gjithë bota ndajnë sekuencat e koronavirusit për të identifikuar mutacionet potencialisht të rrezikshme, XBB.1.5 është zbuluar për herë të parë në Nju Jork dhe Connecticut në fund të tetorit.
“Kraken” rrjedh nga një mutacion i nënvariantit të parë të Omicron XBB, i njohur si “Gryphon”, një kombinim i varianteve BA.2.10.1 dhe BA.2.75.
Të dy janë në gjendje të shmangin antitrupat e fituara nëpërmjet vaksinimit ose infeksionit, megjithatë XBB.1.5 mbart një mutacion shtesë që do ta bënte atë më të aftë të lidhet fort me ACE2, portën që virusi përdor për të hyrë në qelizat tona dhe kjo do të sillte një ngjitshmëri të lartë.
Megjithatë, kërkimi mbi këtë nënvariant (i zbuluar në 29 vende të ndryshme) është ende jashtëzakonisht i kufizuar.
Shumë virologë dhe epidemiologë pajtohen se XBB.1.5 ka të gjitha karakteristikat për të nxitur një valë të re potenciale të Covid-19, megjithatë sipas studimeve të kryera deri më tani për “kushëririn” e tij “Gryphon”, nuk duket se XBB.1.5, i cili është gjithmonë një derivat i Omicron-it, të shkaktojë sëmundje më të rëndë se nënvariantet e tjera, veçanërisht te njerëzit që janë të vaksinuar me një përforcues të përditësuar.
Rritja e përgjithshme e shtrimeve në spital që regjistrohet në Shtetet e Bashkuara, nuk duket të jetë më e lartë në zonat ku “Kraken” është dominues.
Simptomat janë ende dhimbje të fytit, kollë, lodhje, dhimbje të përhapura të kyçeve dhe muskujve, me përfshirje më të madhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Antitrupat neutralizues, të shkaktuara nga vaksinimet dhe infeksionet e mëparshme, por mbi të gjitha limfocitet T që njohin më shumë elementë të virusit, mbrojnë nga sëmundjet e rënda.
Megjithatë, te moshat e treta dhe me imunitet të dobët, këto armë janë më pak efektive dhe kanë tendencë të ulen me kalimin e kohës.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



