Ka ndodhur

Covid-19/ Meta: Situata drejt katastrofës, qeveria pa plan vaksinimi. Rama: S’ta pret mendja sa shpejt do bëhet

Pandemia ka përplasur sërish Ilir Metën dhe Edi Ramën. Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e rënduar nga koronavirusi në vend, ku shifrat e infektimeve dhe të viktimave kanë shënuar rritje këtë muaj.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se është kriminale të bëhet sehir dhe rastet e shtuara të infektimeve e humbjet e jetëve të trajtohen si statistikë.

“Në kushtet kur situata pandemike po rëndohet ndjeshëm, është kriminale të bëhet sehir dhe rastet e shtuara të infektimeve e humbjet e jetëve të trajtohen si stastikë.
Vetëm sot janë regjistruar 18 viktima dhe sipas të raportimeve nga terreni, çdo 13 minuta një autoambulancë mbërrin në Spitalin Infektiv COVID-1″, shkruan presidenti Meta.
Kreu i shtetit jep alarmin, teksa thekson se “situata po shkon drejt një katastrofe kombëtare”, që sipas tij, duhet parandaluar pa humbur më kohë.
Meta i bën thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që sot, të reflektojnë dhe të kthejnë fokusin vetëm nga qytetarët.
Sipas tij është emergjente ndryshimi rrënjësor i strategjisë antiCOVID, pasi masat dhe kufizimet e marra derimë tani nuk po sjellin asnjë rezultat.

Rama: Siç u bë realitet rindërtimi, ashtu do të bëhet dhe vaksinimi

Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama.

Rama thotë se do të bëhet realitet vaksinimi i gjithë popullit, duke bërë një paralelizëm me rindërtimin pas tërmetit.
“Ashtu siç po bëhet realitet Rindërtimi i shtëpive, shkollave, qendrave shëndetësore e lagjeve të reja, çka askush nuk e besonte kur ra tërmeti shkatërrimtar, ashtu do të bëhet realitet Vaksinimi i krejt popullit, më shpejt se sa shumëkush mund ta mendojë sot dhe aspak më vonë se shumë shtete të tjera në Europë e në rajon po se po”, shkruan Rama në Facebook.

Po ashtu, Rama nënvizon se vaksinimi veç Tiranës ka vazhduar me bluzët e bardha të Durrësit, Matit, Bulqizës dhe banorët e shtëpive të të moshuarve dhe kujdestarët e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë