Pas hapjes së shkollave ka mbetur edhe një sprovë tjetër e fundit ndaj koronavirusit, fakultetet dhe konviktet për studentët.
Ministria e Shëndetësisë thotë se administrata e konvikteve është duke përgatitur protokollin anti-COVID-19. Ata ende nuk kanë një numër të saktë se sa do të jetë fuqia e strehimit në godinat e studentëve, por ekspertët parashikojnë zvogëlim të kapaciteteve akomoduese për studentët që do të vijnë nga qytetet e tjera në Tiranë. Ndërkohë prej disa vitesh në treg, veçanërisht në Tiranë, të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e qirave janë në rritje. Mundësitë e akomodimit të studentëve janë të kufizuara.
Që me daljen e vendimit se viti i ri akademik do të nisë më 2 nëntor, të parët që kanë nisur të shqetësohen janë prindërit. Veçanërisht ata që me mundësitë financiare që kanë nuk e përballojnë dot strehimin e fëmijëve të tyre në një banesë me qira.
Armela K, studente në vitin e dytë këtë vit, në Tiranë, e cila vjen nga një qytet jugor, i tregon gazetës “Si” se prej gati një muaj, ende pa dalë vendimi për fillimin e vitit të ri universitar po diskutojnë për një zgjidhje akomodimi.
Vitin e kaluar ajo ka banuar në një nga konviktet e Qytetit Studenti së bashku me dy vajza të tjera, jo shoqe të saj. “Zgjodha të pranoj vendimin e atyre që bënin ndarjet nëpër dhoma. Nuk u rreka të ndërhyja për të qëndruar me shoqet. Por pata fat. Por tani është problemi. Edhe unë edhe familja kemi frikë për shkak të koronavirusit sepse në rrethin e afërt kemi pasur të sëmurë që nuk e kanë përjetuar mirë sëmundjen dhe po ruhemi shumë”- thotë Armela.
Ajo tregon se prindërit e saj kanë aplikuar për kredi që të mund ti paguajnë qiranë e një apartamenti në Tiranë, afër shkollës për një vit që të jenë të qetë. “Vitin tjetër kismet”- thotë ajo duke qeshur.
Por tregu i qirave aktualisht dhe prej disa vitesh, thonë agjentët imobiliar, nuk ka oferta të leverdishme për studentët, veçanërisht për ata të pamundurit.
Këtë e konfirmon edhe Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit të Stabilitetit Financiar për gjysmën e parë të vitit. Sipas raportit të BSH-së, çmimet e qirasë janë rritur.
“Nuk ka filluar akoma ajo kërkesa e lartë e qirave nga ana e studentëve si vitet e tjera. Edhe pse po punojmë me qira të vogla për studentët, në fakt nuk ka ofertë të mirë. Ka vite që apartamentet me qira në Tiranë pësojnë rritje çmimi. Zona më e lirë është Astiri apo Fresku. Por kjo e fundit është shumë larg dhe nuk preferohet. Kërkesa rritet, por oferta zvogëlohet ose mbetet e njëjteë dhe çmimet rriten”- thotë Dritan Leka nga Century 21.
Ai shpjegon se, nëse vjet apo para dy viteve gjeje ndonjë apartament dinjitoz me 250€ , sot nuk gjen asgjë të tillë pa 300€.
“Fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të tilla, i sheh me gazetën “Çelsi në dorë për periudhë të gjatë. Por edhe pronarët e aparatamenteve të vogla nuk i sjellin tek ne për ti trajtuar, pasi agjencitë mbajnë një muaj komision”- tregon Dritan Leka.
Dritan Ballgjini, një tjetër ekspert në fushën e Pasurive të Paluajtshme parashikon se ky muaj do të ketë fluks përsa i përket qirave, sepse në 2 nëntor viti i i ri akademik do të startojë.
“Këtë zhvillim unë do ta ndaja në dy faza. Nëse qeveria italiane do të lejojë studentët të vijnë në Shqipëri, atëherë do të kemi një rritje të kërkesës për apartamente të një vlere nga 350 -700 euro për qira në zonat afër universitetit, por edhe në zona elitare si bllok, etj. Kjo, vit pas viti ka sjellë rritje të çmimeve të apartamenteve, pasi ka kërkesa në këto zona dhe nuk ka ofertë të mjaftueshme. Së dyti, studentët që vijnë nga Shqipëria, dhe rrethet njihen si studentë që kërkojnë apartamente më ekonomike dhe që në shumicën e rasteve janë, jo kontingjent i agjencive, ata preferojnë që të akomodohen vetë dhe me shoqërinë e tyre. Gjithsesi një pjesë më e mirë ekonomikisht, do të kërkojnë apartamente me qira kryesisht afër fakulteteve ku studiojnë dhe normalisht do të jenë kontingjent i yni.”- shpjegon Ballgjini.
Ai thotë se duhet vënë në dukje se deri më sot protokolli për qendrat pritëse universitare akoma nuk ka dalë, duhet të presim datën 15 tetor e prapa. Sipas të gjitha gjasave, mendon ai, edhe qendrat studentore do të jenë me kapacitet të reduktuar, e cila do të sjellë rritje të kërkesës ekonomike për qira. “Mbetet të shohim si do të shkojë zhvillimi i pandemisë dhe a do të ketë kufizime.”- shprehet eksperti Ballgjini.
Sipas tij, shumica e shtëpive private apo apartamenteve në periferi, do të kenë klientë këtë shtresë shoqërore, studentët, e cila normalisht do të sjellë një aktivitet në rritje sa i përket qirave.
Jonida Troqe, CEO rajonale e RE/MAX Albania konfirmon se kanë nisur kërkesat për qira studentore, por kërkesat më të shumta janë për çmime më të ulta qiraje krahasimisht me vitin 2019, që sipas saj ndikohet nga kriza e shkaktuar prej pandemisë që ka shpënë në ulje të të ardhurave.
Me vendosjen e një date për fillimin e vitit akademik “ne si Remax Albania dhe Kosova kemi pasur kërkesa të shumta në rritje nga studentët për qira. Zonat e preferuara janë gjithmonë zonat brenda unazës, por edhe afër fakulteteve ku studentët kryejnë vitin akademik. Përsa i përket çmimeve është herët për të pasur një qëndrim, megjithatë duhet theksuar që qiratë bazike të studentëve tentojnë të kenë të njëjtat çmime vit pas viti. Megjithatë muaji tetor do të japë një pamje më të saktë përsa i përket lëvizjes së çmimeve te qirave. Pa diskutim që ka ndikuar tek ne, duke marrë parasysh kërkesat në rritje për qira krahasuar me muajt e kaluar. Ky është një fenomen që ne e shohim të ndodhë çdo vit para nisjes së vitit akademik. Por këtë vit do të ketë ndikim më të madh duke marre parasysh edhe pandeminë.”- shpjegon Troqe nga RE/MAX
Por me daljen e protokollit anti-COVID-19, por edhe me frikën e prindërve për të mbrojtur fëmijët e tyre në këto kohë të pasigurta, teksa parashikohet që kërkesa për banesa me qira të rritet, ndërkohë që oferta është e limituar për çmime të ulta, si do të akomodohen studentët shqiptarë, veçanërisht ata të pamundurit financiarisht.
Dritan Leka zbulon për gazetën “Si” një iniciativë private nga njerëz të ndryshëm në Tiranë, të cilët kanë prona dhe të këshilluar nga ekspertë të pasurive të paluajtshme kanë ngritur struktura akomodimi studentore private.
Ai parashikon se këto struktura pritet ta ndryshojnë tregun disi dhe ti japin frymëmarrje.
“Këto struktura kanë dhoma individuale, çift ose treshe. Me kuzhina të vogla dhe tualet. Me internet, drita e ujë të përfshirë dhe me siguri 24h, ku dhe prindërit janë më të qetë. Vlerat variojnë nga 200€ – 350€ në varësi të vendndodhjes së godinës dhe me sa veta preferon të qëndrosh në dhomë. Janë disa të tilla përreth Qytetit Studenti, në zonën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë fakultetit të mjekësisë dhe pranë Casa Italias”- thotë Leka.
Ai tregon se fillimisht këto struktura u ideuan si apartamente hotele, më pas ndryshuan destinacion në shërbim studentor.
Megjithatë të gjitha gjetjet e tregut ngjajnë se janë zgjidhje për buxhete familjare me të ardhura mbi mesataren. Nga qeveria ende nuk ka një sinjal për ndonjë paketë të mundshme studentore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



