Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, ku ditët e fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të reja, Gjykata e Tiranës njoftoi sot pezullimin e punës.
Në vendimin e firmosur nga kryetari i Këshillit, Petrit Çomo, thuhet se pezullimi do të nisë nga dita e premte, 13 nëntor, për dy javët në vijim. Pra, Gjykata do të jetë e mbyllur deri më 27 nëntor.
Në shkresë theksohet se përjashtim nga ky vendim do të kenë vetëm çështjet e karakterit urgjent.
“Për marrjen e masave kundër Covid-19 dhe zbatimin e protokollit të sigurisë sipas Rregullores ‘Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së Covid-19, gjate ushtrimit të veprimtarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë’, miratuar me vendimin nr 47\4 datë 24.04.2020, ‘Mbi përcaktimin e rregullave dhe praktikave të duhura për kufizimin e përhapjes së infeksionit Covid-19, gjatë zhvillimit të veprimtarisë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë’, si dhe në funksion të reduktimit të infeksionit”, thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




