Kosova

Qeveria nuk i bindet infeksionit, heq kufizimet e lëvizjes për fushatë

Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi të enjten për lehtësimin e  masave anti-covid pavarësisht paralajmërimit të ekspertëve se vendi ka nevojë për masa më të ashpra për të parandaluar përhapjen e variantit të ri. Në një mbledhje të mbajtur online, qeveria e kryeministrit Avdulla Hoti vendosi për heqjen e orës policore.

“Kryesorja është që hiqet ora policore në zonat e kuqe. Operatorët ekonomikë do të punojnë deri në orën 22:00. Studentët ndërkohë do t’i kthehen mësimit opsioni online”,tha zëdhënsja e qeverisë në një deklaratë.

Sipas vendimit të fundit të javë së kaluar të Ministrisë së Shëndetësisë, në zonën e kuqe janë katër komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Suhareka dhe Zveçani. Në zonën e verdhë janë dhjetë komuna: Lipjani, Obiliqi, Vushtrria, Prizreni, Peja, Gjakova, Podujeva, Ferizaj, Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut, në të cilat nuk është vendosur orë policore.

Vendimi vjen mes paralajëmërimeve të ekspertëve se Kosova mund të përballet me një valë të tretë për shkak të mitingjeve dhe tubimeve të mbyllura që po mbajnë partitë politike gjatë fushtës zgjedhore. Si partitë në qeveri, ashtu edhe opozita kanë marrë deri më tani dhjetëra gjoba për respektimin e masave, por mitingjet kanë vazhduar në disa raste edhe pas orarit të caktuar.

Sikur të mos mjaftonte shfaqja e varianteve të reja, lirimi i masave vjen po ashtu mes kthimit të qindrave emigrantëve në vend për të votuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, sipas mediave, që nga fillimi i muajit shkurt kanë arritur mbi 85 fluturime, ndërkohë që deri më 14 shkurt pritet të realizohen edhe 71 fluturime të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë