Treg

Covid-19 ka goditur shitjen me pakicë të hidrokarbureve

Shitjet me pakicë në përgjithësi nuk janë ndikuar fort nga kriza e shkaktuar nga pandemia, por ajo ka goditur tregtinë me pakicë të hidrokarbureve.

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë 2020, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi 125,3. Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 0,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 12,0 %.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2020 është rritur me 3,0 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2019.

Por volumi i shitjeve të hidrokarbureve ka pësuar rënie me 4,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Në tremujorin e tretë 2020, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 9,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është ulur me 0,2 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 15,9 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur 21,1 %, kundrejt tremujorit të dytë 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë