Ish-deputeti i PD dhe bankieri i njohur, Bedri Çollaku, ka ndërruar jetë për shkak të Covid-19. Ai ishte i shtruar prej disa javësh në spital ka humbur dje jetën nga koronavirusi.
Çollaku lindi në Tiranë, në vitin 1950. Ai e nisi karrierën e tij në vitin 1973 pranë Bankës së Shtetit Shqiptar. Ishte diplomuar në Shkenca Ekonomike nga Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar programin e Akademisë Harvard të Pireus Bank. Në vitin 1996 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike në Qarkun Tiranës.
Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të politikanit dhe bankierit të njohur shqiptar e ka dhënë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Me hidhërim të thellë u njoftova për largimin e parakohshëm nga jeta të Bedri Çollaku. Me një karrierë të spikatur e mbi 40-vjeçare në fushat e bankingut qendror e tregtar, Çollaku do të kujtohet si një ndër ekspertët që ka kontribuar në hedhjen e themeleve të mbikëqyrjes bankare shqiptare, sektor të cilin e drejtoi gjatë viteve të para të krijimit të tij, në fillim të viteve ‘90. Z. Çollaku ishte drejtues i një ndër bankave tregtare të vendit. I nderuar me çmime të shumta për punën e tij si ekspert i sistemit bankar, interesat dhe përvoja e spikatur e z. Çollaku u pasqyruan edhe në rolin menaxherial që kreu me energji e ndershmëri deri në fund të jetës. Kjo është një ditë e trishtë për sistemin bankar të vendit”, shkruan Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




