Analize

Covid-19 goditi më rëndë vendet që shkurtuan shpenzimet për kujdesin shëndetësor

Nga "Wall Street Journal"- Shpenzimet e ulëta për kujdesin shëndetësor në vitet e fundit e bënë Italinë vendin më të goditur nga koronavirusi vitin e kaluar.

Claudio Zanon, i cili deri në fund të dhjetorit ishte drejtor në një spital në Como në rajonin e Lombardisë, thotë se kur mbërriti pandemia nuk kishte mjaftueshëm mjekë dhe infermierë. Shtretërit e njësive të kujdesit intensiv ishin të pakta dhe nuk kishte një rrjet të madh të klinikave lokale ku mund të transportoheshin pacientët. Sikur të mos mjaftonte kjo, teknologjia e përdorur në spital gjithashtu kishte mbetur pas.

"Italia ishte e papërgatitur kur vala e parë e koronavirusit goditi vendin sepse sistemi i kujdesit shëndetësor nuk ka marrë fonde të mjaftueshme në vitet e fundit", thotë Zanon, i cili punon si kirurg për tre dekada.

Ulja e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor gjatë krizës financiare ishin kërkesa kryesore e BE-së gjatë dekadës së kaluar në Itali dhe vendet e tjera të Europës Jugore. Shtrëngimi i rripit me shpenzimet buxhetore shpjegon pjesërisht pse disa vende kishin norma më të larta infeksioni dhe shifra vdekjesh nga pandemia, sipas ekspertëve të kujdesit shëndetësor dhe mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të trajtimit të pacientëve.

Shpenzimet private dhe publike për frymë për kujdesin shëndetësor, ranë me 2.6% në Itali midis viteve 2009 dhe 2019, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Në Greqi, ajo ra pothuajse me një të tretën. Kostot e kujdesit shëndetësor priren të rriten më shpejt sesa inflacioni i përgjithshëm, për shkak të nevojave në rritje të kujdesit shëndetësor, plakjes së popullsisë si dhe përparimeve teknologjike, kështu që edhe mbajtja e shpenzimeve konstante shpesh kërkon shkurtimin e diçkaje, të tilla si stafi ose shërbimet e ofruara.

Gjermania, e cila tashmë po shpenzonte 45% më shumë në kujdesin shëndetësor sesa Italia në vitin 2009, rriti shpenzimet me një të katërtën gjatë dekadës së fundit. Ndërsa Gjermania është goditur rëndë në valën e dytë të pandemisë, vendi ka pësuar gjysmën e vdekjeve në krahasim me Italinë.

"Nuk ka dyshim se nëse vendet e Evropës Jugore do të kishin rritur shpenzimet në vitet e fundit, sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor do të kishin më shumë kapacitet për t'iu përgjigjur pandemisë dhe vdekjet do të ishin më të ulëta," tha Gavino Maciocco, një doktor dhe profesor i shëndetin publik në Universitetin e Firences.

Shumica e vendeve europiane ofrojnë mbulim universal të kujdesit shëndetësor të financuar nga taksat e përgjithshme, ndërsa në SHBA shumica e njerëzve marrin sigurim shëndetësor privat përmes punëdhënësit të tyre. Roli më i madh i shtetit në sistemet europiane të kujdesit shëndetësor i bën spitalet me të prekshme kur qeveritë po përpiqen të shkurtojnë shpenzimet publike.

Po ashtu Europa ka bërë më pak shpenzime për teknologjinë e re mjekësore në dekadën e kaluar, pasi të paktën gjysma e mjeteve janë të vjetruara, tha Federico Lega, një profesor i politikës së kujdesit shëndetësor në Universitetin e Milanos.

Një ligj i miratuar pas krizës financiare të vitit 2009 i detyroi rajonet italiane të ulnin shpenzimet vjetore për punonjësit e kujdesit shëndetësor në 1.4% nën nivelin e vitit 2004, duke çuar në ulje të ndjeshme të numrit të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor nëpër spitale sepse ata që dilnin në pension shpesh nuk u zëvendësuan.

Kjo, nga ana tjetër, rriti moshën mesatare të mjekëve dhe infermierëve italianë, një faktor kontribues në numrin e lartë të vdekjeve gjatë pandemisë. Sipas organizatës së mjekëve italianë, më shumë se 260 nga anëtarët e tyre kanë vdekur nga Covid-19, krahasuar me rreth 50 në Francë dhe më pak se gjysma e asaj në Gjermani.

"Ka qenë një dekadë shumë e komplikuar për sistemin shëndetësor italian dhe tani ne i shohim efektet," thotë profesor Lega.

Faktorë të tjerë që kontribuojnë në numrin e lartë të vdekjeve në disa vende përfshijnë moshën mesatare të popullsisë, gjatësihtrirja dhe respektimi i masave të tilla si distancimi social dhe mbajtja e maskave, sipas ekspertëve të kujdesit shëndetësor.

Italia, Spanja dhe Britania e Madhe, të cilat ulën shpenzimet e kujdesit shëndetësor në dekadën e kaluar, kanë ndër bilancet më negative të vdekjeve nga koronavirusi në botë.

Pasi frenuan me sukses valën e parë të virusit vitin e kaluar, shumica e vendeve europiane tani po luftojnë për të përmbajtur një tjetër valë që filloi të shfaqej në të gjithë kontinentin në shtator. Në shumë vende, përfshirë Italinë, infeksionet dhe nivelet e vdekjeve tani kanë zbritur nga majat e fundit, por mbeten të larta.

Por as shpenzimet më të larta për sistemin shëndetësor nuk kanë garantuar trajtime më të mira të pacientëve gjatë pandemisë. SHBA ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve për frymë për shkak të koronavirusit. Por vendet me më shumë kapacitet ekonomik kanë bërë një punë më të mirë duke zbutur shkallën e vdekshmërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë