Para

Covid-19 godet fort kredinë për konsum, ajo për shtëpi s’ndalet

Qytetarët shqiptarë, kryesisht ata nevojtarë ndjejnë frikë dhe pasiguri për të ardhmen. Pavarësisht nevojave, ata nuk mund tu drejtohen bankave për hua. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Por ndryshe nga kjo kategori, e cila ka ngadalësuar ndjeshëm kërkesën për kredi konsumatore, të dhënat e BSH-së tregojnë rritje të qëndrueshme të kërkesës për kredi për shtëpi.

Kredia konsumatore është goditur fort nga kriza e shkaktuar nga COVID-19 e cila ka ngadalësuar protofolin e kredive për individë.

Banka e Shqipërisë argumenton se situata e krijuar nga pandemia e Covid-19, ka ndikuar negativisht në financimin e individëve me kredi nga bankat. Nga njëra anë vihet re reduktimi i fortë i kërkesës për financim si pasojë e pasigurisë për të ardhmen dhe zhvillimeve negative në tregun e punës. Kurse nga ana tjetër, edhe bankat janë treguar të kujdesshme në zgjerimin e kredisë në këtë segment për shkak të rrezikut të perceptuar dhe kundërshtisë së tyre për të marrë përsipër më shumë rrezik.

Në tremujorin e tretë, kredia konsumatore shënoi një rritje modeste prej 1.3%, duke patur normën më të ulët të rritjes në 3 vitet e fundit. Në veçanti, vihet re se kredia për konsum me afat të gjatë maturimi, është segmenti i goditur më fort. Pesha e këtij portofoli ndaj totalit, ra në 68% krahasuar me 71% në fund të vitit 2019. Ndërkohë, kredia afatshkurtër dhe ajo për overdraft pasqyruan një rritje të lehtë. Kredia konsumatore mbizotërohet nga kreditimi në monedhën vendase, i cili përbën 87% të totalit.

Të dhënat e BSH-së nga raporti i Tendencave për kreditim, vënë në dukje se kredia për individë është rritur me 5.1%, ose  ka qenë 1 pikë përqindje më pak se në tremujorin e dytë si pasojë e ngadalësimit të fortë të kredisë për konsum. Por, ky ngadalësim është ekuilibruar pjesërisht nga performanca pozitive e kredisë për blerje banese.

Portofoli i kredisë për individë mbizotërohet nga kredia për blerje banese, e cila zë rreth 64% të totalit. Në tremujorin e tretë, rritja e kredisë për individë ishte pothuajse e gjitha për blerje banese, dhe norma vjetore e saj shënoi rreth 7%, e ngjashme kjo me tremujorët paraardhës. Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se në tremujorin e tretë, kjo kredi ka përfituar si nga përmirësimi i standardeve ashtu edhe nga kërkesa. Sipas BSH-së,  normat e ulëta të interesit, politikat e ndjekura nga bankat, si dhe ndërgjegjësimi i individëve për rrezikun e kursit mendohet se janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar zhvendosjen drejt kreditimit në lekë të këtij portofoli.

Normat e interesit për kreditë në lekë për individë janë rritur për kreditë konsumatore në këtë tremujor, ndërkohë që mbeten në nivele të ulëta për kreditë hipotekare. Interesi për kreditë në euro mbetet i qëndrueshëm.

Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për individë u rrit në tremujorin e tretë të vitit, pas rënies së shënuar një tremujor më parë. Ajo rezultoi 6.4%, nga 5.9% që ishte në tremujorin e dytë të vitit, duke qëndruar gjithsesi nën nivelin e tremujorit të parë, prej 6.8%. Dinamika e normës mesatare të interesit të kredisë gjatë këtij viti është ndikuar tërësisht nga interesat e kredisë konsumatore. Këto të fundit, pas rënies në tremujorin e dytë të vitit, në 7.2%, u rritën sërish në tremujorin e tretë, duke kapur nivelet e tremujorit të parë të vitit, prej rreth 8.2%. Norma e interesit për kreditë hipotekare ka qëndruar e pandryshuar në tre tremujorët e parë të këtij viti, në mesatarisht 4.5%. Vetëm rreth 1/3 e kredisë hipotekare lëvrohet me normë interesi të ndryshueshme apo të fiksuar vetëm për vitin e parë; rreth 50% e saj lëvrohet me normë fikse interesi për 1-5 vjet, dhe pjesa tjetër me normë fikse për më shumë se 5 vjet. Në përgjithësi, vërehet se norma afatshkurtër e interesit për kreditë hipotekare, përveç se është më e ulëta, është edhe më pak e luhatshmja krahasuar me normat e interesit të fiksuara në afat të gjatë. Ajo ka rezultuar mesatarisht 3.8% në tremujorin e tretë të vitit, nga 4.0% në gjysmën e parë të këtij viti dhe në vitin 2019. Normat e interesit të fiksuara për 1-5 vjet dhe për mbi 5 vjet janë përgjithësisht më të larta dhe më të luhatshme, duke reflektuar pasigurinë që materializohet në fiksimin e tyre.

Norma mesatare e kredive në euro për individë mbetet e qëndrueshme në këtë tremujor, në 4.1%, sa edhe në gjysmën e parë të vitit dhe në vitin 2019. Sipas qëllimit të përdorimit, norma e interesit për kreditë hipotekare vijon ruajë të njëjtin nivel, prej 4.0%, gjatë gjithë këtij viti. Norma e interesit për kreditë konsumatore ka shënuar rënie të mëtejshme, duke zbritur në nivelin 4.2% në këtë tremujor, nga 4.4% dhe 4.9% që shënonte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe të parë të vitit. Diferenca e interesit të kredisë në lekë me atë në euro për individët është luhatur rreth mesatares 2.3 pikë përqindje gjatë këtij viti, sa edhe në vitin 2019. Për kredinë hipotekare, kjo diferencë është minimale, në 0.4 pikë përqindje.

Kushtet e termat e kreditimit për kreditë e reja akorduar individëve në tremujorin e tretë u lehtësuan. Në tërësi, kushtet e termat e kreditimit për kreditë e reja akorduar individëve në tremujorin e tretë u lehtësuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë