Përgjatë dy javëve të fundit, rastet e reja me koronavirus në Europë kanë pësuar një rritje alarmante, duke bërë që shumë vende të paralajmërojnë se mund të jenë duke përjetuar një valë tjetër pandemie.
Zyrtarët shëndetësorë spanjollë kanë paralajmëruar se Spanja tashmë mund të jetë duke përjetuar një “valë të dytë” të koronavirusit, pasi Franca, Gjermania dhe Belgjika raportuan po ashtu rritje të rasteve me Covid-19.
Të gjitha vendet e Europën u kanë kujtuar njerëzve nevojën për vigjilencë mes rasteve në rritje ndërsa sezoni i pushimeve verore vazhdon.
Ministria e shëndetësisë e Spanjës regjistroi 971 raste të reja Covid-19 të enjten, numri më i lartë ditor që kur u hoq gjendja e jashtëzakonshme në fund të qershorit, dhe tha se kishte 281 vatra aktive në të gjithë vendin.
María José Sierra, nënkryetari i qendrës së Spanjës për emergjencat shëndetësore, tha se kurba ishte rrafshuar, por se virusi po përhapej në komunitete në zonat veri-lindore.
“Mund të jetë një valë e dytë, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme,” tha Sierra. “Gjëja më e rëndësishme është që ne të vendosim se çfarë masash janë të nevojshme dhe t’i marrim ato herët.”
Ajo gjithashtu tha që njerëzit kishin nevojë të kujtonin se përhapja e virusit ishte trefishuar në vetëm dy javë, nga 8.76 raste për 100,000 banorë në 3 korrik në 27.39 raste për 100,000 banoeë. “Natyrisht, kurba po rriter, por le të presim të shohim se në çfarë situate gjendemi,” shtoi ajo.
Gati 8,000 raste janë diagnostikuar në Katalonja gjatë 14 ditëve të kaluara, të cilat përbën gati gjysmën e 16.410 rasteve të zbuluara në Spanjë.
Sekretari i Shëndetit Publik i Katalonjës, Josep Maria Argimon, tha se situata brenda dhe rreth Barcelonës ishte “kritike” dhe u bëri thirrje njerëzve të dëgjojnë kërkesën e qeverisë rajonale për të mos lënë shtëpitë e tyre, përveç nëse është e domosdoshme.
Të enjten, qeveria e rajonit jug-lindor të Murcia urdhëroi 32,000 banorët e Totana të kthehen në fazën e dytë të bllokimit pasi 55 raste u gjurmuan në një bar në qytet. Qeveria rajonale e Madridit tha të premten se planifikonte të rishikojë udhëzimet për numrin e njerëzve që lejohen të takohen natën.
“Ne do të prezantojmë masa për jetën e natës, duke përfshirë kufizimin e numrit të njerëzve të lejuar në tarracat e bareve dhe restoranteve ose vendeve të tjera sepse virusi ‘pëlqen’ tubimet e mëdha,” tha zëvendësministri i shëndetësisë i rajonit, Antonio Zapatero.
Autoriteti shëndetësor i Francës raportoi 1.062 raste të reja të enjten dhe tha se virusi po prekte edhe moshat e reja.
“Gjatë verës dhe pushimeve, mund të duket artificiale të përshëndeteni me njëri-tjetrin në distancë, të flisni nga distanca, të lani duart rregullisht dhe të vishni maska në hapësira të mbyllura, por kjo përpjekje individuale dhe kolektive është thelbësore për të parandaluar që virusi të na detyrojmë të kthehemi sërish në izolim”, thonë autoritetet franceze.
Të premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, mbajti një takim me këshillin e mbrojtjes së vendit për të diskutuar rritjen e rasteve dhe të marrë në konsideratë masat e reja duke përfshirë forcimin e kontrolleve në kufijtë me Belgjikën dhe Spanjën dhe karantinën për pasagjerët ndërkombëtarë.
Instituti Robert Koch në Gjermani (RKI) raportoi 815 raste të reja të premten, krahasuar me 583 raste një javë më parë dhe 395 dy javë më parë. Më shumë se 40% e rasteve aktuale janë në shtetin perëndimor të Rhine-Ëestphalia të Veriut, por shtetet e tjera gjithashtu tregojnë rritje të mesatares të rasteve ditore.
Jonas Schmidt-Chanasit nga Instituti për Mjekësinë Tropikale në Bernhard-Nocht në Hamburg tha se shifrat duket se tregojnë për një rritje në të gjithë popullsinë sesa në lokacione specifike. “Kjo e bën virusin më të vështirë për t’u përmbajtur”, i thotë ai Der Spiegel.
Burimi: “The Guardian”. Solli në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




